Dy yjet e futbollit, Granit Xhaka dhe Milot Rashica, po i kalojnë këto ditë pushimesh në Prishtinë. Ato janë dy pika referuese të ndeshjes së bamirësisë, që do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:00. Natyrisht, ata kanë qenë në fokus të mediave kosovare, kanë bërë vizitë te varri i legjendës së futbollit të këtij vendi, ish-presidentit Fadil Vokrri, kanë marrë çelësin e Prishtinës nga kryetari i kryeqytetit, kanë dalë në konferencë për shtyp dhe i janë përgjigjur interesimit të gazetarëve. Kujtojmë se ndeshja e bamirësisë në fjalë organizohet nga Komuna e Prishtinës dhe Federata e Futbollit të Kosovës.
Granit Xhaka është pyetur si do ta përjetonte një përballje kundër Kosovës, si pjesë e kombëtares helvete, nëse shorti e përvijon diçka të tillë në të ardhmen. Mesfushori i Arsenalit ka dhënë këtë përgjigje: “Një ndeshje kundër Kosovës do të ishte tepër e veçantë, por si profesionist e kam për detyrë të luaj. Do të ishte e vështirë emocionalisht, pasi prindërit i kam nga Prishtina, jemi nga Kosova. Unë kam lindur në Zvicër, mirëpo ndihem shqiptar. Jam shumë i lidhur me Kosovën. Kam shumë shoqëri këtu, vij për pushime, kënaqem dhe më pas kthehem te klubi e kombëtarja.
Pushimet e para, gjithmonë i bëj në Kosovë. Jam krenar me djemtë e Kosovës. Ata kanë shanse të mira për kualifikim në Europian. Shpresoj se mund t’i shoh e takoj atje. Për mua ka qenë shumë e vështirë të luaja edhe kundër Shqipërisë, kundër vëllait tim, Taulantit, por profesioni na e kërkon. Nëse më bie rasti të luaj edhe kundër Kosovës, do të jetë e njëjta gjë. Eshtë shumë e vështirë të jap një përgjigje se si do të ndihesha”.