Tre viktimat e masakrës së ndodhur në Xibër janë përcjellë dje për në banesën e fundit. Por megjithëse ishin të tre nga e njëjta familje, të viktimat janë varrëosur në vende të ndryshme.
Kujtim e Flogert Dakuci, babë dhe bir, janë varrosur në Tiranë, ndërsa Sali Dakuci në fshatin e lindjes. Trupat e babë e bir janë transportuar që në mëngjes herët nga Xibri drejt kryeqytetit, për t’i përcjellë për në banesën e fundit.
Daja i Flogertit ka ardhur nga Italia dhe ka vendosur që varrimi ta kryejë në Tiranë, duke mos dashur që të gjenden në të njëjtën varrezë ku do të prehet autori i vrasjes së tyre. Rreth 30 banorë të fshatit kanë shoqëruar dy viktimat dhe kanë ndihmuar në organizimin e ceremonive mortore.
Gjatë gjithë natës, dy banesat janë mbajtur nën vëzhgimin e Policisë së Klosit, ndërsa dje në mëngjes, rreth orës 05:00, kufomat e Flogert e Kujtim Dakucit janë transportuar drejt Tiranës. Pas kryerjes së ceremonisë mortore, ata janë varrosur nga daja i Flogertit dhe të afërmit e tjerë.
Pas varrimit të Sali Dakucit, efektivët e Policisë janë tërhequr nga fshati. Banorë të fshatit shprehën se të afërmit duhet të kishin ndërhyrë për shuarjen e këtij konflikti disavjeçar. Ndërkohë, babai i vëllezërve Dakuci vetëm gjatë varrimit të dy djemve është njoftuar për vdekjen e tyre. Ai dergjet në shtrat prej disa muajsh.
Flogerti ishte djali i vetëm i Kujtim Dakucit, ndërsa djali i Sali Dakucit ndodhet emigrant në Angli. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë për familjen e Kujtim Dakucit, e veja, Minushe Dakuci tashmë ka mbetur vetëm me vajzën Ernisa, 21 vjeçe, studente në Universitetin e Tiranës.
Kjo është edhe arsyeja pse familja ka vendosur atë e bir të prehen në kryeqytet. Kjo i paraprin dhe largimit të tyre nga fshati Xibër në Klos, vendi ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë.