Deklarata e pedagoges Iris Luarasi të shtunën në mbrëmje në emisionin “Shiko Kush Luan” se katër gazetarë ajo i ka ngelur në klasë kur kanë qenë studentë, por që sot janë të suksesshëm ka shkaktuar reagime dhe në shumicë nuk është pritur mirë.
Pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko, ka reaguar pas deklaratës së saj, duke mos qenë aspak dakord më këtë përmendje të emrave në publik.
Profesor Ciko thekson se me deklaratën e saj pedagogia ka cënuar privatësinë e të tjerëve. Sipas tij duhen vendosur rregulla të reja loje për të mos cënuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.
Postimi i plotë i Cikos:
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se si një person që e quan veten pedagog mund të bëjë publike, madje me krenari dhe në emisione televizive, emra personash që i ka ngelur në lëndën e tij/saj, aq më tepër kur këta janë po aq, a në mos edhe më të njohur për publikun.
Kam 16 vite që kam përcjellë breza studentësh e në ato raste kur kam qenë i shtrënguar për të mos i kaluar, jam i sigurt që askush tjetër veç studentit dhe administratës së universitetit nuk është informuar për vlerësimin përkatës.
Nëse normat e etikës është vështirë të funksionojnë, besoj se duhen vendosur rregulla loje për të mos cënuar pa të drejtë privatësinë e të tjerëve.