Një ditë pas atentatit ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, dyshimet kryesore janë që ngjarja të jetë kryer nga persona të porositur. Ndryshe nga sa u tha fillimisht se në vendngjarje kishte pasur shkëmbim zjarri, tani duket se situata është qartësuar, dhe se nga makina ku udhëtonte Ndoja nuk ka pasur asnjë shkrepje armësh.
Burime nga grupi hetimor flasin për një atentat me porosi, ndërsa ekzekutorët janë treguar të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë, duke qenë se kanë qenë të pajisur me maska, në momentin kur kanë qëlluar me breshëri në drejtim të mjetit ku lëvizte Ndoja, së bashku me shoferin e tij Andi Maloku, si dhe me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Landi Muharremi.
Në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë dy mjete, një prej të cilëve i ka prerë fillimisht rrugën makinës ku udhëtonte Ndoja, Muharremi dhe Maloku, dhe kanë qenë manovrat e këtij të fundit, ato që kanë bërë që të shmangej tragjedia fatale.
Mësohet se pas ngjarjes autorët janë larguar në drejtim të Fushëkrujës, duke kaluar fillimisht nga Ishmi, në mënyrë që të shmangnin kamerat e sigurisë. Dyshimet janë që personat që kanë kryer atentatit të jenë nga veriu i vendit, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë ardhur nga Kosova, pikërisht për ekzekutimin e Ndojës.
E vetmja provë që ka në dorë policia dhe prokuroria është makina tip benz e braktisur me targa flase, që çuditërisht u la e padjegur nga ana e autorëve, dhe brenda të cilës u gjendën dy armë të tipit kallashnikov, dy maska. Mësohet se targat e mjetit tip benz 280 që u përdor në atentat janë vjedhur nga një makinë në kryeqytet, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e autorëve.
Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohet nga Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, i cili u pa në orët e pasdites së djeshme në mbikalimin e Shkozetit, ndërsa më pas ka marrë në pyetje dhe objektivin e këtij atentati, prokurorin Ndoja. Ky i fundit bëjnë me dije burime jozyrtare ka dhënë emra, mbi personat që fshihen pas kësaj ngjarje, po do të shihet nëse kjo do të përkojë me hetimet e mëtejshme të policisë.
Pavarësisht postoblloqeve të ngritura nga ana e policisë, autorët janë larguar, dhe mbase po shohin lajmet mbi ngjarjen edhe jashtë kufirit të Shqipërisë. Ndërkohë mbeten vetëm disa persona që janë të shoqëruar, dhe mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Gjendja shëndetësore e prokurorit Ndoja dhe Muharremit është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa më kritike paraqite situate për ish-policin Maloku, i cili u transportua mbrëmë në spitalin e Traumës, me disa plumba në shpatull dhe në shtyllën kurrizore.
Ky atentat duket se ka tronditur edhe njëherë ekuilibrat e krimit në vend, që jo vetëm nuk i frikësohet shtetit, po në këtë rast veproi në të njëjtën vijë me këtë të fundit. Prokurori Ndoja prej disa javësh ishte vënë në qendër të sulmeve publike të kreut të qeverisë Edi Rama, si një person i lidhur me grupet kriminale, pasi përfaqësuesi i organit të akuzës kishte çuar pas hekurave drejtorin socialist të Kadastrës së Durrësit.
Nga qeveria Rama në këto orë pas atentatit nuk ka pasur asnjë reagim për ngjarjen e rëndë, ndërsa opozita e bëri atë përgjegjës direkt për sulmin me armë ndaj Prokurorit.
(E.K/Faxweb.al)