Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli pasditen e sotme në një konferencë me gazetarët nga ku foli për kushtet politike në të cilat ndodhet Shqipëria si dhe për ngërçin kushtetues për shkak të emërimeve të reja në Gjykatën Kushtetuese.
Basha ka thënë se mbështet plotësisht qëndrimet e Presidentit Ilir Meta për mbrojtjen e ligjit dhe Kushtetutës, ndërsa tha se opozita nuk ka asgjë në dorë për të bërë diçka konkrete që do ta ndalonte kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama.
Kryedemokrati ka lëshuar edhe një deklaratë të befasishme kur tha se opozita e dinte situatën në të cilën do të shkonte vendi ndaj e ka paralajmëruar vazhdimisht, por shtoi pavarësisht se u mendua gjatë të mos e thoshte, se opozitarët duhet të kishin qenë më ‘kopila’, ndërsa argumentoi se i vetmi faj i tyre është se kanë shprehur çdo të ndodhte në mënyrë të parakohshme.
“Reforma në Drejtësi në fund të fundit do të jetë e suksesshme nëse partitë politike nuk fusin duart. Ne kemi ardhur këtu sepse partitë kanë futur duart prej 30 vitesh. Nuk ka një njeri në planet që të mendoj se PD futi duart në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që Edi Rama, Engjëll Agaçi, Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj fusin duart kudo dhe ndikojnë në çdo kontekst. SPAK dhe BKH janë ankthi dhe tmerri i këtij grupi të strukturuar, sepse e dinë të gjithë, për të gjitha aferat që i bëjnë bashkë. Për këtë gjë them se vendimet tona kanë qenë të drejta, maksimumi që të na akuzoni është se kemi qenë të parakohshëm, duhet të kishim qenë pak më…. Politik kur i thonë… duhet të kishim qenë me… më falni për shprehjen, por s’po e them se është shumë e rëndë. Mëë… vetëshërbyes. Mëë,,, kopila. Të kishim pritur të kishte ndodhur gjëja dhe pastaj të thonim se ndohi gjëja”, tha Basha.
(F.GJ/FAXWEB.AL)