Është konfirmuar në detyrë gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Kodian Kurushi. Emri i këtij gjyqtari është përmendur së fundi për çështjen në ngarkim të Suel Çelës, i cili u shpall i pafajshëm lidhur me atentatin ndaj punonjësve të policisë në tregun agro-ushqimor të Elbasanit.
Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për subjektin përbëhej nga Suela Zhegu kryesuese, Alma Faskaj relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Klodian Kurushi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ka nisur karrierën në drejtësi nga Gjykata e Sarandës. Në nëntor 2005, Kurushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 14 vitesh.
Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie, si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe ekspert dhe trajnues në Shkollën e Magjistraturës.
Çfarë u konstatua në seancën dëgjimore:
Gjatë relatimit Kurushi u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizimin; ndërkohë, Komisioni identifikoi dy gjetje lidhur me veprime të mundshme fiktive në përfitimin e një kredie të butë për të cilat ai dha shpjegime duke mos i konsideruar si të tilla.
Këto gjetje janë identifikuar gjatë verifikimit të një apartamenti në pronësi të Kurushit me sipërfaqe 79.8 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2013 me vlerë totale 6.3 milionë lekë.
Si burim krijimi për këtë pasuri, Kurushi ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese 5 milionë lekë dhe të ardhura nga puna. Nga kredia ka rezultuar të mos jenë shlyer ende 2.5 milionë lekë. Në kontratën e porosisë, është konstatuar se sipërfaqja ka qenë 83.8 m2.
Sipas relatores Zhegu, gjyqtari Kurushi ka shpjeguar se diferenca ishte sipërfaqja e përbashkët e zbritur nga kontrata e porosisë. Ndërkohë që për këstin e parë 5 milionë lekë dhe të fundit 1300 euro nuk janë identifikuar problematika, për pagesën e këstit të dytë në shumën 500 mijë lekë, Komisioni konstaton mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën -215 mijë lekë.
Relatorja Zhegu theksoi se gjatë hetimit për këtë apartament është konstatuar se për të marrë kredinë e butë, gjyqtari Kurushi ka dorëzuar një kontratë sipërmarrje tjetër, për një apartament me sipërfaqe 109 m2.
“Sipas kësaj kontrate çmimi ishte 60 mijë euro dhe shënohet se subjekti e ka shlyer këtë apartament”, pohoi relatorja Zhegu e cila shtoi se kjo kontratë nuk është pasqyruar as në deklaratat periodike dhe as në atë veting. Komisioni ka hetuar për konflikt të mundshëm interesi mes gjyqtarit Kurushi dhe administratorit të kësaj shoqërie ndërtuese, por nuk është konstatuar një gjë e tillë.
Komisioni konstaton se duket që Kurushi të ketë vendosur marrëdhënie fiktive për përfitimin më vonë të një apartamenti dhe ka kërkuar shpjegime nga subjekti.
“Subjekti ka shpjeguar se ka pasur miqësi me një prej ortakëve të shoqërisë. Ai ka thënë se kontrata është nënshkruar në mirëbesim dhe se duke qenë se ndryshoi destinacioni dhe u kthye në shkollë është zgjidhur në heshtje”, pohoi Zhegu. Sipas relatores Zhegu, Kurushi ka pretenduar se nuk është bërë asnjë veprim financiar, por është nënshkruar me qëllim që më vonë, pas çeljes së kredisë, të niste dhe pagimi. Ajo sqaroi se edhe administratori ka pohuar të njëjtën gjë.
Gjatë fjalës së tij, Kurushi u ndal gjatë tek kjo gjetje e KPK-së. Ai tha se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend të kryente veprime fiktive apo të kundërligjshme.
“Unë kam lidhur një kontratë sipërmarrje me qëllim blerjen e një apartamenti. Ishte moment i artë, ku për shkak të ligjit u përfshiva në listën për t’u trajtuar me kredi të butë. Nuk isha i pari, kishte pasur të tjerë para meje që kishin përfituar këtë lloj kredie. Emri im kishte shkuar tek Raiffeisen Bank”, tha ai duke shpjeguar se përfaqësuesin e shoqërisë ndërtuese në fjalë e kishte njohur para viteve 2000 dhe jo për shkak të punës si gjyqtar.
“U hartua kontrata e sipërmarrjes në zyrat e shoqërisë dhe i kërkova të shkruhej se kësti i parë do paguhej me kredi. Kur më erdhi kredia në tetor të vitit 2007 dhe shkova të paguaja, por ai më tha se kishte mundësi që të ndryshonte destinacioni i objektit dhe nëse do të merrte licencën do të më ktheheshin paratë. Ishte situatë e pasigurt”, pohoi para Komisionit Kurushi.
Ai theksoi se në të njëjtën kohë kishte pasur nevojë për strehim dhe po paguante këstet e kredisë kështu që kishte mbyllur marrëveshjen me mirëkuptim. Kurushi pohoi se i kishte kërkuar bankës që të ndryshonte dokumentacionin, po nuk ishte pranuar prej saj.
Relatorja Alma Faskaj e pyeti Kurushin se, nëse do të trajtonte një çështje të tillë si gjyqtar, si do të arsyetonte.
“Që një kontratë të mos jetë fiktive, duhet të jetë me besim dhe e sinqertë. Besoj se ka qenë e tillë dhe s’ka pasur ndonjë fshehje. Nuk kishte konflikt”, pohoi Kurushi. Ai shtoi se kishte qenë i gatshëm të paguante sapo ishte disbursuar kredia duke treguar se destinacioni i vetëm ishte pagesa e apartamentit.
“Kur kam shkuar tek dega e bankës me kontratën e dytë më thanë se nuk mi jepnin dokumentet e kontratës së parë”, tha Kurushi.
Dhe kur vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova e pyeti nëse kjo kontratë duhej të ishte revokuar, Kurushi u përgjigj pozitivisht. Pyetjes se përse e kishte bërë një gjë të tillë në vitin 2019, Kurushi ju përgjigj se nuk kishin bërë një akt formal revokimi, por se e kishin mbyllur me mirëkuptim dhe kontrata ishte kryer së fundmi për të bindur Komisionin për marrëveshjen që kishin pasur me ndërtuesin.
Komisioni identifikoi edhe mosdeklarimin e një huaje në vlerën 5 milionë lekë të marrë nga babai. Zhegu tha se gjyqtari Kurushi ka shpjeguar se nuk e ka marrë asnjëherë këtë hua. “Subjekti duket se ka krijuar marrëdhënie huaje fiktive me babanë e tij”, tha Zhegu e cila shtoi se subjekti ka shpjeguar se vlera 5 milionë lekë e kontratës hua ishte e apartamentit të babait, që u la si garanci për kredinë dhe se kjo gjë i ishte kërkuar nga banka.
“Kur shkova tek banka më thanë se dokumenti nuk është i plotë. duhet të ketë edhe një deklaratë noteriale dhe më thanë se kjo gjë ishte kusht. Më thanë se mund ta bëjë çdo kush që është madhor, që unë të rezultoja debitor”, shpjegoi Kurushi gjatë seancës dëgjimore duke theksuar se kishte zgjedhur babanë pasi ishte pikërisht ai që po vendoste si kolateral apartamentin e tij për kredinë për vlerën 5 milionë lekë që ishte e barabartë me atë të huasë. “Nuk mund të jetë fiktive pasi babai kishte lidhje se kishte vendosur apartamentin e tij si garanci”, pohoi Kurushi i cili shtoi se vlera e apartamentit të të atit ishte më e madhe se 5 milionë lekë.
Për një garazh me sipërfaqe 18 m2 me vlerë 7000 euro me burim krijimi pagat dhe shpërblimet, Komisioni identifikoi mungesë të burimeve financiare në shlyerjen e këstit të parë 6000 euro me balancë negative në vlerën -640 mijë lekë.
Nuk janë gjetur probleme në deklarimin e një autoveture tip “Benz” të blerë në vitin 2014 në vlerën për 5 mijë euro, për një llogari rrjedhëse në shumën 250 mijë lekë, një kontratë depozite të për përbashkët me bashkëshorten në vlerën 8700 euro, të krijuar nga paga e saj si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë dhe pagat e tij. Edhe depozitat në emër të fëmijëve, një pjesë e vlerave të të cilave ishin dhuratë kanë rezultuar të sakta.
Komisioni konstaton se Kurushi ka pasur burime të mjaftueshme financiare edhe për krijimin e një gjendje’ cash’ në vlerën 470 mijë të pasqyruar vetëm në deklaratën veting.
Po ashtu, nga hetimi administrativ ka rezultuar i saktë deklarimi i një apartamenti banimi me sipërfaqe 62 m2 blerë nga bashkëshortja në vitin 2008, para lidhjes së martesës dhe një depozitë në vlerën 13 mijë euro.
Komisioni ka konsideruar si persona të tjerë të lidhur edhe prindërit e Kurushit, për shkak se rezultojnë në të njëjtën certifikatë familjare deri në vitin 2005 dhe për shkak të dhuratave për vajzën. Zhegu tha se është konstatuar një mungese burimesh në vlerën -336 mijë lekë
Në fjalën e tij, Kurushi e konsideroi mungesë të kujdesit të tij mos pasqyrimin e gjendjeve cash në dekalarat peridoike deri në vitin 2011. “Komisioni ka konstatuar teprica çdo vit, që nëse konsiderohen e kalojnë dyfish mungesën e vlerës prej rreth -800 mijë lekë”, tha ai. “Në vitin 2007 kisha kursyer rreth 500 mijë lekë dhe kjo del nga tabelat e Komisioni. Pagesën e këstit të dytë e kam bërë në shkurt të vitit 2008. E kam pasur atë vlerë. E njëjta situatë është edhe kur kam paguar këstin e parë të garazhit”, shpjegoi gjyqtari Kurushi gjatë seancës dëgjimore lidhur me balancat negative.
Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Florian Kurushi falënderoi trupën gjyqësore që po kryen rivlerësimin e tij për hetimin dhe rezultatin.
“Faleminderit për gjithë dyshimet që më hoqët. E vërteta në mënyrë të drejtëpërdrejtë është më e mirë. Besoj në punën time dhe mendoj se e kam bindur Komisionin”, pohoi gjyqtari Kurushi duke kërkuar konfirmimin e tij në detyrë.
(E.K/Faxweb.al)