Federata Shqiptare dhe Kristian Panuci nga një marrëdhënie miqësore e lidhur me një kontratë për të cilën italiani falenderonte FSHF në çdo dalje publike dhe jo vetëm, që i dha mundësinë e madhe të karrierës si trajner, po kthehet në urrejtje.
Një respekt i maskuar që paralajmëronte, këtë revansh me fjalinë “Presidenti vendosi të më shkarkojë”, duke mos pranuar asnjëherë dorëheqjen dhe pse rezultatet flasin vetë 9 humbje 2 barazimesh e 4 fitoresh. Shumë shpejt palët mund të përfundojë në gjykatën e arbitrazhit sportiv të Lozanës. Top Channel ka mundur të sigurojë kërkesën që studio ligjore që përfaqëson ish-trajnerin kuq e zi Kristian Panucin ka sjellë pranë FSHF-s.
Mes të tjerave në këtë kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit i kujtohet kontrata që ka patur me ish-trajnerin Panuci ku bëhen edhe përllogaritjet e bonuseve që ai do të duhet të përfitojë sipas saj. Barazime e arritura në shtëpi kanë një bonus prej 4000 eurosh, në transfertë 8000, ndërkohë që fitoret e arritura në shtëpi arrijnë shifrën e bonusit prej 10.000 eurosh dhe fitorja në transfertë 15.000. Si rrjedhojë avokatët kanë renditur të gjitha ndeshjet e kombëtares kuqezi me rezultatet pozitive, ndeshje të cilat i ka fituar Sulejman Mema dhe Ervin Bulku në Andorra, takimi i parë dhe më pas Edi Reja. Pavarësisht se nuk ka asnjë kontribut Kristian Panuci në këto rezultate, avokatët nxitojnë FSHF duke i vendosur edhe afate të shpejta pagese, për të mos çuar çështjen më tej në gjyq.
“Në vazhdim të asaj që është thënë më sipër, nga klienti ynë Cristian Panucci, i kërkojmë Federatës shqiptare të Futbollit të respektojë detyrimin për pagesën prej 54 mijë Eurosh ndaj tij në bazë të kontratës, një pagesë që duhet bërë brenda 7 ditëve nga marrja e kësaj letre. Në rast se ky detyrim nuk shlyhet brenda afatit kohor të përcaktuar më sipër, do të çojmë kërkesën tonë në një shkallë tjetër siç e parashikon ligji për të mbrojtur interesat e klientit tonë. Besojmë se kjo çështje do të zgjidhet në mënyrë miqësore, brenda afatit të përcaktuar”.
Ndërkohë që edhe FSHF nga ana e saj ka marrë masat duke u konsultuar me avokaten që e përfaqëson në CAS dhe çështjet ndërkombëtare, si Antonio Rigozzi, i njohur për gjyqin e fituar ndaj Serbisë në KAS të Lozanës, për ndeshjen e ndërprerë nga droni.
“Federata Shqiptare e Futbollit duhet t’i dërgojë ish-trajnerit një letër ku të sqarohet se bonuset janë vetëm për ndeshjet që ai ka drejtuar skuadrën dhe ftojeni atë në CAS nëse mendon se gjykata mund të ketë ndonjë interpretim tjetër”.