Tërmeti e ka goditur në dy anë profesorin e Universitetit të Politeknikut, Klement Qerimin. Teksa toka lëkundej, atij jo vetëm që iu dëmtua banesa në godinën 15 në Qytet Studenti, por humbi edhe shikimin.
Qerimi ka rrëfyer për “Ora News” se në momentin e tërmetit një mobilie i ka rënë në syrin e djathtë, duke i dëmtuar kështu retinën. Ndërsa syrin e majtë e ka patur me probleme që nga lindja.
“U godita nga një mobilie në retinën e syrit të djathtë. Këtë e kam syrin tim aktiv, se syrin e majtë e kam me probleme që nga lindja”, ka treguar pedagogu.
Ai ka apeluar për kurim në Izrael, ku ka gjetur shpresë, sepse ky problem shëndetësor po i bëhet pengesë në profesion dhe në përkujdesjen për fëmijët e tij të mitur.
“Nuk e di sa do të kushtojë sepse do të bëhet një vizitë, analizë nga klinika të specializuara dhe atje do të përcaktohet. Kërkoj nga shteti shqiptar të më trajtojë për shërimin e dritës së syve, ta mendojnë sikur është një pjesëtar i familjes së tyre. Problemi me shikimin më krijon vështirësi në përmbushjen e detyrës time si pedagog, por edhe për kujdesin e fëmijëve të mitur”, ka deklaruar Klement Qerimi.