Shqipëria mori zyrtarisht këtë të enjte kryesimin e OSBE. Në Vjenë ishte kryeministri Edi Rama, i cili renditi disa nga objektivat që Shqipëria do të ketë gjatë këtij kryesimi. Në fjalën e tij, Rama tha se në fokus do të jetë zgjidhja e konflikteve si edhe garantimi i paqes dhe demokracisë.
“Kur isha në krye të qeverisë më dukej shumë e ashpër, kur isha në krye të oozitës, më dukej shumë e butë. Përtej shakave, pa OSBE gjithçka që ne dëgjojmë do të ishin më shumë probleme për t’u zgjidhur. Dua të jap diçka mbrapsht për organizatën tonë sepse OSBE i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë për shumë vjet.
Ndërkohë që Evropa shoqërohet nga konfliktet dhe bota nuk është fort mirë, puna jonë është edhe më e nevojshme, për të qenë relevantë. Paqja dhe demokracia nuk duhet të jenë thjesht fjalët e përbashkëta, por objektivat tonë të përbashkët për organizatën. Rruga për paqen e qëndrueshme mbetet e gjatë. Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të Kryesisë sonë”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi edhe që të ketë dialog që të shmangen krimet e urrejtjes dhe të ekstremizmit. “Duke folur për sfidat dhe kërcënimet, ne synojmë që të vendosim si përparësi luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kundër krimit. Organizata jonë shkëlqen edhe në reagime si lufta kundër ekstremizmit dhe siguria kibernetike.
Kjo më çon tek pika e tretë e përparësive: Dialogu. Ka ardhur koha të sinjalizojmë një përgjigje, reagim ndaj një rritjeje të pamohueshme të krimeve të urrejtjes, nxitja e tolerancës dhe mosdiskriminimit”, tha Edi Rama.
(M. I./ Faxweb.al)