Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje pas denoncimit të Partisë Demokratike për kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Vetë kryeprokurori Olsian Çela i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon që t’i vërë në dispozicion sa më shpejt formularin e dekriminalizimit të Qerim Ismailajt.
“Kërkojmë përcjelljen sa më parë të formularit të dekriminalizimit. Na vini në dispozicion formularin e vetëdeklarimit të Qerim Ismailajt”, shkruhet në kërkesën e Çelës për KQZ. Kujtojmë që më herët Prokuroria e Përgjithshme vuri nën hetim kryebashkiakun e Mallakastrës.
Prokuroria ka vendosur nën hetim kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Ai u denoncua nga Partia Demokratike se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Greqia në vitet 1999-2000.
Pas denoncimit, sektori i dekriminalizimit në organin e akuzës ka bërë kërkesë për të marrë gjurmët e gishtave të Ismailajt. Gjurmët e gishtave do të merren fillimisht tek ADISA.
Prokuroria e Përgjithshme regjistroi çështjen për Qerim Ismailajn 4 ditë më parë.
Prokurori Adnan Xholi i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë që të sigurojë dosjen e plotë nga autoritetet greke.
Vetë Qerim Ismailaj ka mohuar akuzat, ndërsa është shprehur i hapur për hetim.