Kur na ndan më pak se një javë nga tubimi i 2 Marsit, presidenti Meta duket të jetë më shumë se aktiv me postimet dhe denoncimet e tij kundër asaj që ai e cilëson grusht shteti të mazhorancës ndaj Reformës në Drejtësi.
Mëngjesin e sotëm Meta ka shpërndarë një video, nga momentet kur u zgjodh si president në Kuvend, e ku ka kryer dhe betimin me dorën mbi Kushtetutë.
Meta shkruan në rrjetet sociale se ky është betimi i jetë së tij, për të mbrojtur Kushtetutën dhe Shqipërinë.
Presidenti ka paralajmëruar se më 2 mars në orën 17:00 do të mbajë një tubim në kryeqytet, i cili sipas tij do të shkatërroj grushtin e shtetit.
Në kuadër të përplasjes Presidencë-Qeveri për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta ka kallëzuar penalisht në SPAK ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dhe më herët dhe kreun e KED, Ardian Dvorani.
Nga ana tjetër mazhoranca ka ngritur një Komision Parlamentar për shkarkimin e presidentit, dhe në të paktën dy raste është kërkuar ndërhyrja me opinion e Komisionit të Venecias.
Në tubimin e së hënës, Meta ka ftuar çdo shqiptar të jetë i pranishëm, ndërsa thirrjes së tij i është përgjighjur pozitivisht edhe opozita.