Anëtarja e komisionit të shëndetësisë, Almira Xhambulla ishte e ftuar në studion e lajmeve të Fax News përballë gazetares Xhilda Kodi ku foli për padinë që kanë ngritur deputetët e mazhorancës ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Ajo tha se është bërë një mbledhje provash duke u bazuar në informacionet që kanë dhënë Berisha dhe eksponentë të opozitës dhe atyre që kanë deklaruar autoritetet zyrtarisht, dhe mbi to është ndërtuar padia që sipas saj, do të firmoset nesër përmes një deklarate të përbashkët të deputetëve të mazhorancës që do të dërgohet për hetim.
Padia ndaj Berishës është bërë me akuzën se ka publikuar lajme të rreme dhe që përhapin panik në lidhje me situatën që është krijuar në vend për shkak të koronavirusit.
“Na vjen keq që po përdoret kjo situatë për çështje e interesa politike e jo për të dhënë mesazhet e duhura në kohën e duhur. Duke parë edhe reagimet e qytetarëve, kemi konstatuar se ka pasur shumë pasaktësi, ka pasur shumë urrejtje, qoftë ntga Berisha apo ish-deputetët e PD-së. Ne kemi marrë të gjitha këto deklarata, kemi kërkuar informacione për ballafaqim informacionesh me ato të autoriteteve shtetërore. Për të gjitha faktet që tregojnë se në lajmet dhe qëndrimet e tyre ka të pavërteta, duke marrë parasysh se shumë prej këtyre deklaratave përmbajnë të pavërteta, ne si komision jemi drejt finalizimit të kësaj deklarate të cilën do ta firmosim nesër.
Nuk mund të lejojmë që në këtë situatë kur duhet të ketë një frymë ekipi, sepse sot nuk duhet të ketë polemika. Jemi në një situatë urgjente dhe të gjitha problemet do t’i sqarojmë pasi ta kalojmë. Sot duhet të japim mesazhe qetësie e solidariteti veçanërisht me stafin mjekësor. Nuk do të tolerojmë askënd me çfarëdo lloj tagri politik që të krijojë këtë situatë deri diku kriminale. Mesazhe të pavërteta, gjuhë urrejtjeje, mesazhe që dekurajojnë profesionistët e shëndetësisë, duhet të merren masa. Duke u bazuar në çfarë parashikon ligji kemi vendosur të ngrejmë një padi penale ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha”.
Xhambulla foli edhe për masat e marra nga autoritetet në përballjen me koronavirusin, duke argumentuar se janë bërë të gjitha veprimet në bazë të udhëzimeve të OBSH dhe shembujve të vendeve të tjera.
“Ashtu si çdo shtet tjetër, MSH ka vepruar në përputhje me udhëzimet. Kur Italia filloi me rastet dhe shpelljen e szonës së kuqe, ne ndjekim hap pas hapi situatën. Kam qenë personalisht në qarkun e Dibrës ku jam deputete dhe kam parë masat parandaluese në 24 orë. Ne nuk jemi ndryshe nga vendet e tjera të botës dhe siç kanë reaguar 109 vendet e tjera, kemi ndjekur të gjitha rregulloret e dala nga OBSH. Ndoshta sot themi a mund të ishte bërë më mirë? mendoj se përgjegjshmëria është në masën maksimale, task-forca është ngritur me kohë”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)