Ditën e sotme u raportua në media se njëri nga përsonat që ishte dërguar në Itali për të ndihmuar stafin mjekësor të vendit fqinj në luftën me COVID-19, nuk kishte profesion mjeku dhe infermieri por rezultonte pompist.
Madje u tha se Qazim Ismaili, njëri nga 30 mjekët dhe infermjerët nuk ka asnjë eksperiencë në mjekësi dhe deri para pak ditësh vijonte të punonte si pompist në një pikë karburanti në Vorë.
Por sipas burimeve për Faxweb.al Ismaili ka disa vite eksperiencë pune si infermier, rreth 4 vite gjatë viteve ’80 në Spitalin Ushtarak dhe rreth 9 vite në Spitalin nr. 2 në QSUT dhe disa vite në Itali.
Ndërkohë ai prej disa vitesh punon dhe si ndihmësmjek në kompaninë e karburanteve ku zgjodhi të merrte një pagesë meqenëse ishte pranë banesës së tij.
Në reagimet e hedhura online, shumë njerëz të cilët e njohin shprehen se Ismaili kishte zgjedhur të kthehej nga Italia pranë familjes së tij në vitin 2008, pas tragjedisë së Gërdecit pasi njëri nga fëmijët e tij pësoi dëme në zemër dhe prej asaj dite do të zgjidhte punësimin në destinacionin më të afërt me familjen e tij.
Në të njëjtën kohë Qazim Ismaili është licencuar dhe si infermier, ndërsa kishte shprehur gatishmërinë e tij për të dhënë ndihmën në krizën aktuale të pandemisë COVID 19.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Blerina Duka, Presidente e Urdhrit të Infermierit e cila tha për Fax News se Ismaili është diplomuar e licensuar për infermier në vitin 2017.
Më tej ajo tha se Ismaili nuk ka pasur mundësi të ushtronte profesionin dhe kishte aplikuar si vullnetarë për t’ju bashkuar infermierëve të tjerë që shkuan në Itali.
“Ismaili është një 6000 infermierët që nuk ka ushtruar profesionin. Është diplomuar e licensuar për infermier në vitin 2017. Ismaili nuk ka patur mundësi të ushtrojë profesionin. Ismaili aplikoi në portal për infermier vullnetar drejt Italisë. Ismaili është nisur me grupin prej 30 mjekësh e infermierësh. Ai aplikoi për infermier vullnetar. Aktualisht kemi 6000 infermierë të papunë në vend”, tha Duka për Fax News.