Nëse në qytete të tjera ka nisur marrja e masave ekstreme për të mbyllur tregjet, për të shmangur grumbullimin në qytetin e Elbasanit një ditë më parë u hap tregu kryesor i fruta-perimeve me një organizim krejtësisht të ri.
Vec tunelit dezifektues në hyrje, pikave të verdha, shiritave kufizues edhe prezencës se policisë bashkiake është bërë e mundur të krijohet një hapësirë me të gjitha elementet e duhura, ku nga një anë hyhet dhe në një tjetër është dalja.
Ambjenti i krijuar u inspektua gjatë ditës së sotme nga kryeinspektorja e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor Vjollca Braho , e cila u shpreh se shembulli i mirë i Elbasanit duhet të ndiqet nga qytete të tjera.
E pyetur se në kushte kovidi pse nuk është menduar grumbullimi i shitësve në ambjente të përqëndruara në mënyrë që të shmangen abuzimet në lagje, Znj Braho u shpreh optimiste se cdo dyqan ushqimor dhe legjeje këto ditë ka punuar në kushte optimale.
Në inspektim Znj Braho shoqërohej nga kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja, i cili teksa takoi tregtarët një ditë më parë u kërkoi falje për këtë mbyllje kaq të gjatë të aktivitetit të tyre, por e konsideroi masë të nevojshme. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe në Elbasan inspektoriati shtetëror shëndetësor ka gjobitur 4 biznese për mos respektim të distancës dhe rregullave të karantinës.