Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me situatën pandemike që po kalon vendi dhe impakti që po jep kjo situatë tek ekonomia e vendit.
Sejko është ndalur tek problematika e kredive dhe raporti biznes-bankë-individ duke thënë se po shikohet edhe një mundësi tjetër për një shtyrje afati edhe për 3 muaj të kredive.
Një intervistë për RTV Ora, Sejko thotë se bankat duhet të bëjnë gjithçka në ndihmë të biznesit, por pa u thyer vetë.
“Vendimi i parë është për shtyrje 3 mujore të kësteve të kredive, pasi jemi koshientë që aktivitetet u mbyllën. Janë 2 miliard euro këste në total të kredisë së shtyra, nga 4 miliardë në total. 50% e portofolit janë shtyrë. Po analizojmë situatën edhe një herë me bankat e nivelit të dytë për të parë nëse do të jetë e nevojshme një shtyrje. Natyrisht në favor të biznesit do të duhej të bëhej një shtyrje por prioritet është stabiliteti financiar.
Do të shohim në muajt e mëpasshëm që do të ketë përkeqësim në portofolin e kredive me probleme apo një rënie të kreditimit pavarësisht nga gjëndja e mirë që kanë bankat.
Do të duhet të mbrojmë dhe bankat e nivelit të dytë që të kenë vijimsi dhe vazhdueshmëri të shëndetshme pasi nuk duhet të harrojmë që këto fonde e likuiditete janë depozitat e qytetarëve. Bankat janë ndërmjetës financiar duhet të kryejnë rolin e tyre por nuk janë varka e shpëtimit. Bankat të bëjnë gjithcka është e mundur në ndihmë të biznesit por pa u thyer vetë”.