Një debat i ashpër virtual me akuza e kundërakuza është zhvilluar ditën e sotme mes Taulant Ballës nga njëra anë dhe Oriola Pampurit e mbështetur më pas dhe nga Albana Vokshi, nga ana tjetër. Debati u nxit nga një video e ish-deputetes së PD-së Oriola Pampuri, e cila përmes një statusi në facebook publikoi shëndetësinë falas të kryeministrit Rama, ku paraqiste qytetarë që blenin aspiratorë dhe ushqim pasi spitali nuk mundej dot t’ia siguronte.
Kjo video nuk u prit mirë nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili e quajti Pampurin “kasandrën” e Pd-së, e cila sipas tij është lajmëtare vuajtjesh që rrit numrin e të vdekurve. Balla ka kërkuar nisjen e hetimeve për këtë video-montazh të rremë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-deputetes tjetër demokrate Albana Vokshi e cila i ka dalë në mbrojtje koleges së saj.
Vokshi shprehet se sa do të mallkojë Balla, Pd nuk do të intimidohet në thënien e të vërtetës. Kjo qeveri sipas Vokshit nuk e ka mendjen te lufta kundër pandemisë por te zhvillimi i tenderave sekretë me qëllim përfitimin.
Postimi I Oriola Pampurit: Pandemia nga COVID ka shfaqur para syve të të gjithëve sa e mjeruar është gjendja në spitalet tona, sa i madh është dështimi i qeverisë, sa e rrezikshme është kjo qeveri për shqiptarët. Kontrasti mes propagandës së qeverisë dhe realitetit është i jashtëzakonshëm.
Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë flasin për spitale si në Zvicër, por qytetarët në hall në dyert e spitaleve teegojnë të vërtetën e dështimit të “shëndetësisë falas”. Ata blejnë vetë nga ushqimi i përditshëm deri tek respiratorët.
Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë. Shqipëria është ndër 4 vendet e para për vdekjet ditore dhe një nga vendet me numrin më të lartë të përhapjes së rasteve të reja. Pamjet flasin vetë. Qytetarët vs kryeministri në ikje.
Reagimi i Taulant Ballës: Gjatë këtyre 6 muajve në Shqipëri përveç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me shpifjet, baltën dhe panikun që përhapin politikanë tipikë të së keqes: në fillim kundërshtonin përdorimin e mjeteve të komunikimit në apelin për të qëndruar në shtëpi e ruajtur higjienën.
Konferenca për shtyp nga divani e postime pafund pse Kryeministri u kërkon njërëzve qëndroni në shtëpi e pse u thotë lani duart; më pas filloi histeria e testeve masive, e që u rrëzua nga OBSH; vetëasgjesimi i çdo norme njerëzore brenda opozitës rrugore vijoi me akuza për “fshehjen” e vdekjeve dhe pasojave të epidemisë; kur Qeveria filloi lehtësimin e masave shtërnguese por me kujdesin e domosdoshëmpak nga pak, nga opozita vinin klithmat pse vazhdon gjendja e jashtëzakonshme.
Një betejë e palogjikshme dhe pa asnjë argument, por vetëm si një politikë inati. Inat me kë? Me njerëzit, apo stafet mjekësore? Tani mesa duket, vetë kasandrat e opozitës kanë nisur një betejë të re, atë të përhapjes së panikut ekonomik dhe social duke përdorur atë që njohin më mirë baltën dhe mashtrimin.
Eshtë një ish-deputete e Partisë Demokratike që është bërë e njohur në pubik vetëm si “kasandër”. E ka nisur tek Unaza e Re, kur shpikte të vdekur njerëz me shëndet të plotë, ka vazhduar në Durrës me tërmetin dhe është shfaqur rregullisht gjatë epidemisë, si lajmëtare vdekjesh dhe vuajtjesh të mëdha.
Kjo “kasandër” ka publikuar sot një video-montazh, përmbajtja e së cilës duhet hetuar menjëherë nga organet ligjzbatuese, sepse në të shfaqen veprime të paligjshme. Hetimi duhet të jetë i shpejtë.
Askush nuk duhet ta përdorë këtë flamë të paparë si koronavirusi, për të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë, apo demoralizuar mjekët, infermieret dhe stafet e tjera shëndetësore.
Reagimi i Albana Vokshit: Taulant Balla ka shpërndarë sot një fletërrufe të shkruar nga Edi Rama kundër opozitës dhe me gjuhë urrejtje kundër koleges Orjola Pampuri vetëm pse ajo përballi me fakte të vërtetën e dështimit të qeverisë përballë pandemisë.
Është fakt që Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë. Është fakt që Shqipëria është ndër 4 vendet e para për vdekjet ditore. Është fakt se Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të përhapjes së rasteve të reja. Është fakt se propaganda shfaq spitale si në Zvicër, ndërsa qytetarët blejnë edhe respiratorë.
Edi Rama dhe surrogati i tij Taulant Balla mund të shajnë e mallkojnë gjithë ditën, por nuk e ndalojnë dot opozitën dhe qytetarët të ngrenë zërin kundër braktisjes dhe padrejtësive të qeverisë.
Shqipëria është sot një zonë e kuqe COVID dhe i izoluar nga Europa, sepse qeveria e Taulant Ballës kishte prioritet vjedhjen me tendera sekretë, jo bërjen e testimeve masive dhe marrjen e masave të tjera për mospërhapjen e virusit.(F.M/Faxweb.al)