GJK do të shqyrtojë më 18 qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.
Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. Më 25 prill Kushtetuesja pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e opozitës, ndërsa në një njoftim të ndarë në faqen zyrtare njofton se kjo padi do të shqyrtohet bashkë me dy të tjera.
Bëhet fjalë për padinë e depozituar në mars për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA), si edhe padia e Avokatisë së Shqipërisë për moszbatimin e ligjit si antikushtetues.
Kjo është padia e tretë e depozituar në Gjykatën Kushtetuese më 19 prill, ndërsa nismës së avokatit Lulzim Alushaj iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.