Ku të gjithë presin një shpërndarje të Kuvendit nga ana e presidentit Meta, zëdhënësi i tij Tedi Blushi, shprehet se në manifestimin e sotëm do të firmoset një dekret, do të bëhet një votim dhe do të shpallet një betim.
Paraditen e sotme në Bulevard u zbrit dhe tavolina ku presidenti firmos dekretet e tij, ndërsa nuk dihet nëse ky i sotmi do të jetë ai për shpërndarjen e Kuvendit, që tashmë funksionon me vetëm 122 deputetë, nga 140 që e parashikon Kushtetuta.
Tedi Blushi:
Motra dhe vëllezër, Mirësevini në këtë Manifestimin të jashtëzakonshëm Mbarëkombëtar, ku do të firmoset një DEKRET, do bëhet një VOTIM dhe do shpallet një BETIM!
SOT NIS PRANVERA E PANDALSHME KUQEZI
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se kryedemokrati Basha do t’i bashkohet manifestimit si një qytetar i thjeshtë, dhe nuk do të ketë një parakalim të tij nga selia e Partisë Demokratike.
Të njëjtën lëvizje duket se do të bëjë dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila do të zhvishet sot nga kostumi i politikanes, dhe do ti bashkohet tubimit si një nënë, bashkëshorte, dhe qytetare e lirë e vendit., ashtu siç është shprehur edhe vetë disa ditë më parë.
Ndërkohë që kryeministri Rama do ta ketë të zënë pasditen e sotme me anëtarët e kryesisë së PS-së me të cilët po diskuton lidhur me detyrat e lëna nga Kongresi i PS-së. Rama ka preferuar që të mos e komentojë gjatë tubimin e presidentit, duke e quajtur atë një ”Besëlikje”, dhe jo “Besëlidhje”, siç ka dashur ta quajë presidenca.
Për tubimin e thërritur nga presidenti Meta janë nisur dhjetra qytetarë dhe nga rrethet, ku nuk kanë munguar as përplasjet dhe kontrollet e shtuara me policinë.
Ndërkohë është mësuar se Ledio Bianku do të jetë personaliteti i parë që do të flasë në manifestimin e thirrur nga Meta, që po realizohet në mbrotje të kushtetutës, kundër “grushtit të shtetit” siç ka cilësuar presidenti mazhorancën.
Ledio Bianku është personalitet i njohur i së Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-anëtar i Komisionit të Venecias.
Tubimit të Metës pritet t’i bashkohen të gjithë eksponentët e opozitës, edhe pse në tubim nuk parashikohet që të ketë fjalime politike, pasi simbolet dominuese janë ato kuqezi.
Në podium përveç Metës pritet të ngjiten dhe patriotë shqiptarë, avokatë dhe njerëz të së drejtës, ndërkohë që mjaft personazhe publike kanë deklaruar publikisht pjesëmarrjen në këtë takim.
Në shesh është vendosur dhe tavolina ku presidenti firmos zakonisht dekretet e tij, por mbetet ende e paqartë se cila do të jetë lëvizja e Metës gjatë ditës së sotme.
Pak kohë më parë ai shprehej se qytetarëve duhej t’i rikthehej e drejta e Referendumit, por nuk dihet nëse do të ketë sot një iniciativë të tillë.
Rreth 1000 efektivë të FNSH-së, Policisë dhe gardës do të zbresin sot në terren për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë manifestimit, ndërkohë që vetë presidenca ka angazhuar rreth 3 mijë persona që do të vendosin në krah shiritët kuqezi dhe do të garantojnë që gjithçka të jetë paqësore.
(E.K/Faxweb.al)