LSI tashmë do të jetë në opozitë në katër vitet e ardhshme dhe pikëpyetjet e para që u ngritën ishte nëse ministrat e kësaj force do të tërhiqeshin nga qeveria pas zgjedhjeve.
Po për Ministrin Lefter Koka kjo nuk përbën rëndësi më shumë sesa fakti që i gjithë kabineti qeveritar prej disa muajsh është jashtë çdo funksioni pasi nuk mblidhet.
Ai vijon më tej duke thënë se nëse ata mendohen të nevojshëm do të qëndrojnë për të dhënë kontributin e tyre deri në fund të mandatit.
Këto komente Koka i ka bërë gjatë një interviste për gazetaren Marsela Karapança pak para nisjes së konventës Kombëtare të LSI-së.
Do ta çoni mandatin tuaj të ministrit deri në fund?
Lefter Koka: Eshtë gjëja e fundit që do të thoja. Nuk është rasti për të diskutuar për këtë gjë. Ajo që më vjen keq në fakt është që i gjithë kabineti, prej muajsh nuk është pothuajse funksional, shumë pak gjëra firmosen thjesht duke mos qenë pra në mbledhje kabineti.
Unë besoj se gjërat duhet të funksionojnë dhe këto muaj nuk janë pak ndaj zgjidhja duhet të ishte, që të vazhdojmë dhe të funksionojmë. Shqipëria ka problematika dhe dy muaj nuk janë pak. Qoftë me ne, qoftë me të tjerë duhet bërë zgjidhje.
Nëse ne nuk konsiderohemi të nevojshëm është mirë që ne të largohemi dhe t’i lëmë vendin të tjerëve të cilët kontribuojnë. Nëse konsiderohemi akoma të nevojshëm duhet të jemi aktivë , pra e gjithë qeveria duhet të jetë aktive për të kryer misionin e saj deri në ditën e fundit të mandatit.
(E.K/SHUPLAKA)