Kreu i PD, Lulzim Basha është shprehur i gatshëm që nesër të zhvillojë zgjedhje të parakohshme dhe tha se PD do të luftojë me çdo formë për t’ia arritur diçka të tillë.
I pyetur nëse do të ulet në një tryezë me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar në lidhje me draftin e Reformës Zgjedhore, Basha u shpreh se nuk do të ketë më marrëveshje me Ramën.
“Jo nuk ulem. Miti i uljes se kryetarit të opozitës me kryeministrin zgjidh gjithçka, ka rënë. U provua. Unë ju përmbajta marrëveshjes së 17 majit dhe Edi Rama vodhi më shumë vota se kurrë më parë. Le mos ti kthehemi diçkaje që e kam bërë të qartë, nuk ka për të ndodhur diçka e tillë.”- u shpreh Basha duke rikujtuar marrëveshjen e 17 majit.
“Kam 3 mesazhe që dua t’i ndaj për qytetarët shqiptarë. Së pari; nuk duhet humbur asnjë çast kohe për negociatat. Është e vetmja rrugë për të thithur fonde nga BE. Gjatë ditës së djeshme kam pasur takime në Itali. Më bëri përshtypje një fakt, se vetëm Rumania, vend anëtar, përfiton fonde nga BE, 3 herë sa buxheti i shtetit të Shqipërisë. Për pa gatishmërinë, mungesën e vullnetit, për zhytjen e vendin në korrupsion, kryeministri po na mban larg Europës. Dje drejtuesit më të lartë të BE, kanë shprehur edhe njëherë vullnetin e tyre për të hapur negociatat. Në komunikimin tim, dy zyrtarë ma kanë konfirmuar publikisht këtë gjë. Ky është qëllimi; ne nuk duhet të humbim këtë shans të madh. Këtë mundësi të madhe për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë shqiptare. Ky është një vit i rëndësishëm. Prioritet nr.1 është miratimi i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe për t’i dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës. Që janë kushtet e tjera të Bundestagut gjerman. Ne kemi dhënë propozimet tona. Prej shtatorit opozita i prin këtij procesi, ndërkohë që ka kaluar afati, që është afati i dhjetorit. Jemi ne në pritje të PS së Ramës. Por kjo pritje ka fund. Pasi do të marrim përsipër fatin e shqiptarëve. Nuk mund të jemi pjesë e një procesi të tavolinave të mbyllura dhe të errëta, por duhet të jetë pjesë e një diskutimi që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. S’ka ndryshuar asgjë, as një presje. Këtu prevalon vullneti politik. Për sa kohë Rama vazhdon që të mbështesë karrierën politikë tek kriminelët, për sa kohë zbulohen ata, dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria ka nevojë për një qeveri të papërlyer. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhjet, nëse nuk ndëshkojmë krimin elektoral të transmetuar nga VOA, apo dhe BILD. Dje jeni njohur me një tjetër kryebashkiak të përfshirë në krim, si ai i Mallakastrës.”, tha Basha.