Deputeti i PS-së Eduard Ndreca në një lidhje Skype për Fax News, tha se mazhoranca është plotësisht e qetë pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme nga krerët e partive opozitare se në shtator do të ketë ndryshime të mëdha në politikë.
Ndreca tha se thirrjet e Berishës dhe Metës që qytetarët të protestojnë janë për hallet e tyre personale dhe se ata nuk kanë asnjë lloj morali politik të kërkojnë mbështetjen e tyre.
“Besoj se qytetarët para një viti e dhanë mesazhin e duhur kur i dhanë mandatin e tretë Ramës, ndërsa thirrjet e Berishës e Metës janë përpjekjet e tyre për të ngritur ato parti që deri dje kanë qenë në gjendje kolapsi. Nuk janë thirrje për qytetarët por për interesat personale.
Kemi një vit që kemi kaluar zgjedhjet dhe populli ka besim në këtë qeveri dhe premtimet janë mbajtur, nuk besoj se as PD apo PL do të munden dot të krijojnë opozitën. Ne jemi detyruar të bëjmë të dy rolet, jemi votuar në 25 prill për punët e bëra.
Mazhoranca ka gabimet e veta por halli politik i Berishës është organizimi i protestave për të shpëtuar nga hallet e tij personale dhe absolutisht qytetarët nuk duhet të bien pre e këtyre thirrjeve.
Ne po punojmë për më të mirën, protesta e Berishës nuk përbën lajm.
Ne nuk trembemi nga këto deklarata, nëse ka protestë nga opozita ne jemi të gatshëm të ecim paa dhe nëse nuk arrijmë atëherë patjetër ndëshkohemi më vonë.
Jemi mjaft të qetë, këta dy personazhe s’kanë asnjë lloj morali politik të dalin e të kërkojnë mbështetje nga qytetarët dhe në fakt të mos i lënë rehat në këto muaj pushimesh”-u shpreh Ndreca.