Kreu i LSI-së Petrit Vasili ka folur si kryetar i LSI-së dhe pyetjes se a është LSI dakort me propozimin e Ramës ndaj Bashës, Petrit Vasili u përgjigj: “Në vlerësimin tonë, është një variant realist që hap të gjitha hapësirat për krizën politike. Jepte granci të rëndësishme Partisë Demokrtaike. Stabiliteti i vendit e ardhmja e tij që lidhet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, kërkon dhe do të kërkojë sakrifica. Ne kemi qenë të gatshëm për këto sakrifica.”
FJALA E VASILIT:
Jemi së bashku në këtë takim të radhës do ta quaja, pas përfundimit të Konventës së jashtëzakonshme të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila u zhvillua në sytë tuaj dhe sot ne kemi këtë komunikim me një cilësi të re, si drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Me këtë rast unë falënderoj me shumë sinqeritet mbështetjen e jashtëzakonshme të gjithë anëtarëve të Konventës së LSI-së, të cilët me votën e tyre më dhanë një besim dhe një përgjegjësi shumë të madhe për të përfaqësuar një forcë politike, e cila është shndërruar tashmë në simbolin e stabilitetit, qëndrueshmërisë në këtë vend dhe të forcës së arsyes politike në Shqipëri.
Sigurisht, në këtë moment, unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë, ndoshta edhe pak më shumë se anëtarët e Konventës, mijëra e mijëra anëtarë të tjerë të LSI-së, të cilët ishin në këtë aktivitet tonin, por nuk mundën fizikisht të merrnin pjesë në atë sallë, e cila sigurisht rezultoi shumë e vogël. Ishin mijëra anëtarë, të cilët, të gjithë së bashku kishin ardhur të shprehnin mbështetjen, falënderimin e jashtëzakonshëm për gjithçka ka bërë dhe ka ndërtuar e themeluar, Ilir Meta për LSI-në, qoftë për frymën e LSI-së, qoftë për fuqinë e mesazhit të saj, qoftë për pozitivitetin dhe qoftë për atë konstruktivitet, një element aq i munguar i politikës shqiptare.
Megjithatë, kam sigurisht edhe një lajm shumë të mirë, të cilin edhe këtë dua ta ndaj me ju, që të gjithë këta mijëra mbështetës tanë të cilët erdhën, por nuk mundën të ishin në sallë dhe sigurisht kishin dëshirë të ishin në sallë, dhe ne e bashkëndajmë të gjithë këtë sensibilitet, që është plotësisht i justifikuar dhe kishin dëshirë sigurisht ta dëgjonin nga afër z. Meta, si një takim i pazëvendësueshëm dhe i pashlyeshëm për ta, z. Meta ka vendosur që të gjithë periudhën që gjendet përpara deri në mandatimin e tij si President i Republikës, duke qenë se ai ende është deri në datën 23 korrik anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai do të ndërmarrë një tur të gjerë takimesh falënderimi, për të gjithë mijëra anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët, falë të cilëve fuqia e arsyes dhe e forcës politike të Ilir Metës mori një fuqi të madhe politiko-institucionale, që i shërbeu në mënyrë të jashtëzakonshme vendit dhe qëndrueshmërisë së tij.
Kështu pra, dialogu i djeshëm vazhdon. Sigurisht me një cilësi të re, në një mënyrë të re, në një formë të re, por asnjë anëtar apo simpatizant, apo mbështetës i LSI-së, apo mik i mirë i LSI-së, nuk do të jetë i shqetësuar pasi do të ketë mundësi ta ketë komunikimin e tij të drejtpërdrejtë, të afërt dhe të ngrohtë, ashtu sikurse vetëm Ilir Meta ka ditur ta ndërtojë.
Njëkohësisht jam i hapur dhe për ndonjë pyetje apo interesim tuajin.
Pyetje nga gazetarët
Vetëm pak më parë Kryeministri Rama bëri publike ofertën që i është bërë Opozitës, në një takim ku në fakt edhe ju keni qenë pjesë e negociatave me McAllisterin, ndërkohë Opozita nga ana e saj paralajmëroi protestën e madhe që pritet të mbahet në datë 7 maj në Kavajë. LSI-ja e ka deklaruar që nuk do të jetë pjesë në Kavajë. Si i shikoni ju këto dy situata dhe si mund të dilet: propozimi i kryeministrit dhe ajo që pritet të ndodhë të dielën në Kavajë?
Sigurisht që është një situatë krize politike, këtë nuk kemi arsye pse ta fshehim. Është një krizë politike, që kërkon në radhë të parë maturi dhe largpamësi.
Maturi për t’u menduar e për t’u matur në çdo veprim që ndërmarrim, e largpamësi për të kuptuar se çfarë efekti kanë të gjitha veprimet e sotme për të ardhmen e vendit. Ndaj, ne e kemi inkurajuar dhe jo vetëm e kemi inkurajuar, por edhe kemi qenë në dispozicion të çdo zgjidhjeje që siguron zgjedhje me standarde të lira, standarde të ndershme e zgjedhje të lira e të gjithëpranuara.
Dhe jorastësisht edhe dje në fjalën time, pas zgjedhjes si kryetar i LSI-së, kam theksuar me të njëjtën gatishmëri dhe sinqeritet që në funksion të kësaj zgjidhjeje kemi vënë të gjitha postet e përfaqësimit tonë politik deri në nivelin më të lartë të tyre, kam riafirmuar një qëndrim që ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka bërë më parë.
Kjo vijë sjelljeje nuk ndryshon. Kemi të njëjtin pozicion për këtë çështje, pasi asnjë sakrificë nuk është e rëndësishme dhe e madhe në raport me rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme e me standarde të gjithëpranuara. Pasi ky do të thotë konsolidim demokratik i vendit, do të thotë një ecje përpara e procesit të integrimit evropian dhe siguron hapjen dhe jo izolimin e Shqipërisë. Kështu që, ky ka qenë dhe mbetet pozicioni ynë edhe në këtë moment, edhe në orët dhe në ditët në vijim.
Ka pasur tre orë negociata intensive, nga ana e mazhorancës dhe opozitës. LSI a ka qenë dakord për këtë propozim të ri, që i është bërë nga ana e kryeministrit Rama opozitës, për tërheqjen, apo le të themi rrëzimin e mundësisë për shtyrjen e zgjedhjeve dhe kalimin nga postet e katër ministrive në rang të 4 zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrit. Ka qenë dakord LSI-ja me këtë propozim të ri?
LSI, siç e cituat në mënyrë korrekte, nuk ka qenë pjesë e këtij negocimi. Ky ka qenë negocim bilateral mes kryetarit të Partisë Socialiste, z. Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, z. Basha, me stafet respektive.
Jemi njohur, sigurisht, me variantin e zgjidhjes. Nuk do më pëlqente ta quaja ofertë variantin e zgjidhjeve të ofruara nga Partitë Popullore Evropiane. Në vlerësimin tonë ka qenë një variant realist, që hapte hapësira për një zgjidhje të krizës politike.
Në vlerësimin tonë jepte garanci të rëndësishme Partisë Demokratike, që ajo të bëhej pjesë e procesit dhe jorastësisht propozimin për t’iu drejtuar Partive Popullore, e ka bërë pikërisht z. Meta. Unë mendoj që përsëri do të ishin të mirëpritura, por edhe të besuara, normalisht nga të gjitha palët, që Partitë Popullore ta thonë fjalën e tyre edhe në këtë moment, pasi edhe eksperienca, edhe pesha politike e bën çdo zgjidhje që ata ofrojnë edhe më të pranueshme edhe më të gjithëpranuar.
Sa i takon LSI-së, ua përsëris edhe një herë, pa dashur t’ju bezdis, stabiliteti i vendit, e ardhmja e tij, të cilat lidhen vetëm me një faktor, me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Asnjë reformë në Shqipëri nuk mund të funksionojë pa to, kërkon sakrifica. LSI ka qenë dhe do të jetë e gatshme për ato, thashë edhe një herë dhe e pohova dje publikisht përpara mijëra anëtarëve të Konventës së LSI, por edhe përpara opinionit publik, ne kemi qenë të gatshëm për këto sakrifica.
Nuk do të doja t’i quaja sakrifica, por për t’u vënë në dispozicion maksimalisht në funksion të zgjidhjes, z. Meta është Presidenti i Republikës, ne jemi në detyra të caktuara. Le të fillonte zgjidhja në qoftë se ishte e domosdoshme që nga pozicioni që unë mbuloj sot si Ministër i Drejtësisë. Çfarëdo gjëje që do të ndihmonte është e mirëpritur.
Janë shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të jenë më standarde, pasi rruga e integrimit evropian të Shqipërisë do të ishte shumë e thepisur, problematike dhe imazhi i vendit do të cenohej rëndë nga zgjedhje, që do të ishin zgjedhje të refuzuara, zgjedhje të kontestuara dhe zgjedhje që do të prodhonin tension të madh politik dhe shoqëror.
- Vasili nëse pas zgjedhjeve të 18 qershorit PS siguron 71 mandate, ku do të pozicionohet LSI, në krah të mazhorancës apo në opozitë?
Asnjë rezultat i zgjedhjeve nuk ka asnjë rëndësi në momentin që flasim, pasi përpara kemi një detyrë madhore. Çfarë zgjedhjesh do të zhvillojmë dhe a do të jenë zgjedhje të pranuara dhe të ndershme? Në rast se të gjithë bashkë nuk i japim përgjigjen e duhur kësaj çështjeje, të gjithë të tjerat janë çështje, që kanë një rëndësi shumë të kufizuar, por që nuk i japin vendin atë që ai pret.
Dhe në sistemin demokratik që ne po luftojmë të gjithë të ndërtojmë, pa i dhënë një përgjigje të qartë dhe të prerë kësaj çështje e cila është themeli i demokracisë duke sakrifikuar për të, sakrificat mund të jenë edhe të dhimbshme, por janë në funksion të një të mire të madhe dhe me të ardhme siç është e ardhmja e venit, ky proces nuk mund të arrihet. Dhe kjo është detyra kryesore që kemi përpara.
Kjo është përpara çdo reforme, pasi të gjitha janë të kushtëzuara nga sistemi dhe nga institucionet që lindin dhe e kuptoni fare mirë që zgjedhjet e gjithë pranuara dhe zgjedhje të pastra ngrenë institucione edhe solide edhe të fuqishme që mund të ndërmarrin reformat. Zgjedhjet të cilat janë të kontestuar gjerësisht, zgjedhje defektoze, zgjedhje të njëanshme sigurisht që nuk do të prodhonin as stabilitetin e institucioneve as nuk do të mundësonin ecurinë e reformave që kërkon Integrimi Evropian i vendit.
Prandaj këtu duhet të jetë fokusi dhe këtu duhet të jemi të përqendruar të gjithë për të përdorur çdo hapësirë, çdo minutë, çdo mikë të huaj apo vendas, çdo kapital konstruktiv që ekziston në vend, vetëm dhe vetëm për të vajtur tek një zgjidhje sa më e gjithë pranuar.
Sa kohë i jepni një qeveri të dalë nga zgjedhjet ku opozita nuk merr pjesë, sa mund të shkojë mandati i saj, beson se mund të arrijë në 4 vjeçar?
Unë nuk bëj orakullin e jetëzgjatjes së një qeverie. Pasi qeveritë mund të lindi nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mund të ketë një jetë të ndryshme. Por themelore është një dhe vetëm një, zgjedhje të lira dhe të ndershme pasi çdo lloj produkti që ato do të prodhojnë kanë legjitimitet dhe qëndrueshmëria. Pa këto, zgjedhjet të lira dhe të ndershme, legjitimiteti dhe qëndrueshmëria do të jenë të tronditura dhe të cunguara dhe sigurisht këto nuk janë dhe nuk do të ishin institucionet që vendi dhe shqiptarët do të donin të kishin.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme, të njëjtën gjë në fakt kërkon dhe opozita dhe mazhoranca. Por kur opozita thotë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme arrihen vetëm me qeveri teknike. Ku qëndron LSI-ja?
E thashë shumë qartë, dhe me mirëkuptimin tuaj po e rimarr pozicionin e LSI-së. Një nga propozimet tona kryesore të cilit u vunë në lëvizje ishte propozimi që Partitë Popullore Evropiane të ishin ato të cilat të lehtësonin zgjidhjen e krizës nëpërmjet asaj që ato do të propozonin.
Ne mendojmë që edhe sot që flasim, ato janë një partner shumë i rëndësishëm, thellësisht i besueshëm, i paanshëm në një kuptim të mirë të fjalës dhe besojmë që duhet të vazhdojnë të jenë protagonistët, pse jo edhe në këto momente të caktuara për ta arritura atë zgjedhje politike që i duhet vendit, pasi në rast se zgjidhjen nuk do ta kemi, të gjitha të tjerat do të ishin fjalë në erë.
Dhe në funksion të saj kemi vënë dhe vëmë në dispozicion gjithçka LSI-ja disponon në politikë. Ky është qëndrimi i LSI-së, çdo sakrificë për të pasur zgjedhje të ndershme dhe me standarde të larta. Ndonjë pozicion më të kthjellët dhe më të qartë se kaq besoj se askush nuk ka. Kjo do të thotë pikërisht pra që ne nuk i kemi të ardhmen e vendit me fatin tonë qeveritar ministror etj., por e kemi lidhur me çfarë produkti politik i hapim vendit çfarë institucionesh i japim vendit pas datës së zgjedhjeve.
(J.V/Shuplaka)