Roland Bejko, kandidati i PD-së zyrtare për kryebashkiak në Tiranë, nuk sheh asnjë ndryshim mes dy kundërshtarëve që ka përballë, Erion Veliajt dhe Belind Këlliçit. Sipas tij të dy kandidatët edhe fushatën kanë zgjedhur që ta ideojnë njësoj, duke i gjetur njëri tjetrit edhe nofka në emër.
I pyetur nga moderatorja e Fax News Rovena Neziri, nëse sheh një mundësi bashkëpunimi me PD-në që përfaqësohet nga Berisha pas zgjedhjeve, Bejko e mohoi këtë mundësi, pasi sipas tij kjo do të ishte një pranim i ‘berishizmit’, përqëndrim i pushteteve në një dorë të vetme.
“I shoh njësoj, se dhe fushatën që bëjnë e kanë njësoj, Belo imiton Lalin. Vetëm e djathtë nuk është ky lloj qëndrimi, mesa duket njeriu ka marrë ngjyrën e partisë ku ka shkuar. Po punojnë për llogari të Ilir Metës. Partia e Ilir Metës do të dalë më e pushtetshme me votat e demokratëve. Ku ka demokratë më të thekur sesa unë?
I kam qëndruar bindjeve të PD në 32 vite, Sali Berisha nuk përfaqëson më PD-në, por përfaqëson berishizmin. Është një person që është shpallur non grata dhe e ka lënë Shqipërinë pa asgjë, mes Saliut dhe Amerikës unë zgjedh Amerikën. Ne do të ishim dakord që të bashkëpunonim me këdo që ndahet nga e shkuara, me berishizmin ne jemi ndarë njëherë e mirë.
Çfarë është Berishizmi? Është ai lloj pushteti që do që të ketë gjithçka në dorë, berishizmi është ajo që bën sot Edi Rama dhe ajo që do të bëjë Ilir Meta”, u shpreh Bejko në Fax News.
(E.K/Faxweb.al)