Siç është parashikuar, ditën e nesërme në orën 9.00 do të dalin para Gjykatës së Tiranës 23 personat e arrestuar në Kukës pas protestës së të shtunës në Kalimash, për rishikim të masës së sigurisë.
Po ashtu, siç është deklaruar më herët gjatë ditës, procesi do të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës për mungesë kushtesh të sigurisë në Kukës.
Prokuroria ka kërkuar që 11 prej tyre të qëndrojnë në arrest burgu ndërsa pjesa tjetër të lihet në arrest shtëpie ose detyrim paraqitje.
Ish-kryeministri Berisha ka publikuar mbrëmjen e sotme dokumentin e Prokurorisë së Kukësit për arrestimet e protestuesve. Ajo që bie në sy në këtë dokument është se shkruhet që arrestimet janë bërë nga ora 10 e mëngjesit të së dielës deri në orën 12.
Në fakt është gjerësisht e ditur se të gjitha arrestimet janë bërë pas mesnate mes të shtunës dhe të dielës.
Sipas asaj që shkruan Berisha në denoncimin e tij, arrestimet në të vërtetë janë kryer rreth orës 2 deri 3 pas mesnate dhe sipas tij, ky falsifikim bëhet për të mos tejkaluar afatin prej 72 orësh të mbajtjes në qeli të një personi.
“Falsifikime monstruoze nga kryeprokurori Edvin Kristaq Rama!” shkruan ish-kryeministri Sali Berisha që publikon dosjen e prokurorisë të dorëzuar në gjykatë për 23 të arrestuarit në Kukës pas protestës së Kalimashit. Sipas Berishës aty është falsifikuar ora e ndalimit të protestuesve.
“Lexoni aktin e firmosur nga prokuroria e partisë për protestuesit guximtare! Kryeprokurori Rama urdhëron prokurorinë kriminale te Partise te falsifikoje ne mënyrë monstruoze:
Orën e ekzekutimit nga narkopolicia te arrestimeve te protestuesve guximtare. Ata jane arrestuar nga ora 3 e mengjesit kurse narkoprokuroret e Rames shkruajne duke fallsifikuar te verteten se protestuesit jane ndaluar midis ores 10-12 te dates 1 Prill, duke konsumuar keshtu krimin e shemtuar te mashtrimit per shkak te detyres” – shkruan Sali Berisha.