Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur sot se nëpërmjet rishikimit të fundit të buxhetit për vitin 2024, që u miratua nga qeveria më 19 dhjetor, në formën e një Akti Normativ u sigurua mbështetja për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, nëpërmjet shpërndarjes së një pakete shpërblimesh të fundvitit me një kosto rreth 2.2 miliardë lekë, krahas krijimit të një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve me një transfertë fillestare prej rreth 6.3 miliardë lekë.
Gjatë diskutimit të Aktit Normativ në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Malaj tha se ky rishikim i buxhetit 2024 materializoi gjithashtu edhe rialokimin e shpenzimeve buxhetore drejt atyre me ecuri më të lartë, duke realizuar në masë të konsiderueshme pagesën e detyrimeve.
“Përmes tij sigurojmë ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor në vlerën 57.28 miliardë lekë. Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të të ardhurave të përgjithshme, bazuar në performancën e vjeljes së tyre referuar planit vjetor në fuqi, duke reflektuar vetëm disa rregullime mes nën-zërave që konsistojnë në ndryshimin e te ardhurave vendore, të të ardhurave jotatimore dhe grantet e projekteve, bazuar në performancën e shënuar gjatë periudhës janar-nëntor 2024. Rishpërndarjen e rreth 50 miliardë lekë mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synimin e realizimit sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024”, deklaroi Malaj.
Malaj parashtroi edhe një panoramë të përmbledhur të ecurisë së ekonomisë dhe perspektivës së saj, si bazë për diskutimin e ndryshimeve buxhetore që janë propozuar.
“Viti 2024 shënoi një konsolidim të mëtejshëm të themeleve ekonomike të vendit tonë. Të dhënat tregojnë një rritje ekonomike prej 4% për 9-mujorin, me një dinamikë përshpejtuese nga tremujori në tremujor. Ky zgjerim ekonomik është gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga dinamizmi i sektorit të shërbimeve, aktiviteti i shtuar në ndërtim dhe një bazë e shëndetshme e konsumit privat. Klima e biznesit, e reflektuar në treguesit e besimit ekonomik, vazhdon të qëndrojë mbi nivelet mesatare historike”, tha Malaj.
Një arritje e rëndësishme për stabilitetin makroekonomik, theksoi ai, është performanca e çmimeve.
Sipas tij, inflacioni mesatar për 2024 ka zbritur në 2.2%, një përmirësim i dukshëm nga 4.8% që ishte në 2023.
“Veçanërisht inkurajues është fakti që ky nivel inflacioni ka qenë përgjatë gjithë periudhës së goditjes globale të çmimeve (veçanërisht gjatë 2022) dhe vijon të qëndrojë më i ulët se ai i vendeve të rajonit dhe mesatarja e Bashkimit Evropian. Kjo dinamikë pozitive është mbështetur edhe nga forcimi i mëtejshëm i lekut, i cili reflekton pikërisht zhvillimet pozitive të ekonomisë sonë në tërësi, dhe në vecanti përmirësimin e fortë të pozicionit të saj të jashtëm”, tha kreu I financave publike.
Ndërsa, investimet e huaja direkte, informoi Malaj, vijojnë trendin pozitiv, me një rritje prej 8,1% në gjysmën e parë të 2024 dhe po ashtu me rritje pozitive edhe në tremujorin e tretë, duke arritur në mbi 1 miliard euro si 9-mujor 2024.
“Pozicioni ynë valutor është forcuar ndjeshëm, me rezerva valutore që arrijnë në mbi 6 miliardë euro”, deklaroi ministri.
Ministri foli për progres edhe në tregun e punës.
“Në fund të 2023, norma e papunësisë zbriti në nivelin më të ulët historik prej 10.7%. Pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 75.1%, ndërsa shkalla e punësimit është rritur në 66.7%. Këto shifra tregojnë se reformat po japin rezultate konkrete në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se performanca fiskale konfirmon efektivitetin e politikave tona.
“Deri në nëntor 2024, të ardhurat buxhetore tejkaluan planin me 3% dhe shënuan një rritje vjetore prej pothuaj 10%. Ndërkohë që të dhënat paraprake për 12 mujorin e vitit që lamë pas tregojnë për një realizim të plotë të planit dhe tejkalim të të ardhurave me 9 % krahasuar me vitin 2023. Si rezultat, borxhi publik pritet të ulet në rreth 55.2% të PBB deri në fund të 2024, niveli më i ulët që nga viti 2008. Cilësia e menaxhimit të borxhit është përmirësuar ndjeshëm, ku pjesa e borxhit në valutë të huaj është ulur nën 45%, ndërsa mbi 80% e portofolit total është me norma fikse interesi”, deklaroi Malaj.
Malaj tha se perspektiva për të ardhmen mbetet optimiste.
“Si për vitin 2024 që lamë pas, ashtu edhe për periudhën afatmesme, parashikojmë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%. Në tregun e punës, projektojmë se shkalla e papunësinë do vijojë të ulet më tej, duke zbritur për herë të parë historikisht në një nivel një shifror (nën 10%) gjatë periudhës afatmesme në vijim. Angazhimi ynë për konsolidim fiskal mbetet i palëkundur, me objektiv vijimësinë e uljes graduale të borxhit publik. Por sigurisht në të njëjtën kohë, mbajtjen në një nivel relativisht të lartë të investimeve strategjike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, të cilat mbeten prioritete kyçe për zhvillimin afatgjatë të vendit”, tha ministri.
Politikat e ndjekura, theksoi ai, kanë marrë së fundmi vlerësim në rritje të perspekivës nga dy agjencitë vlerësuese prestigjoze, respektivisht ‘Moody’s’ dhe ‘Standard & Poor’s.
Moody’s në tetor 2024 përmirësoi vlerësimin për Shqipërinë nga “B1” në “Ba3”, ndërsa Standard and Poor’s e rriti atë nga “B+” në “BB-“.
“Një arritje kjo shumë e rëndësishme, që reflekton besimin në rritje të komunitetit financiar ndërkombëtar ndaj ekonomisë sonë në tërësi dhe menaxhimit të financave publike në veçanti”, deklaroi ministri.