Enkelejd Alibeaj zbulon dokumentin që sipas tij tregon se Klement Balili është shpallur në kërkim që më 17 maj të këtij viti, por sipas demokratit ministri Saimir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama e kanë mbrojtur.
”Sot, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë kronologjia e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se Eskobari i Ballkanit siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti.
Prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale Krijim dhe Drejtim të Organizatës Kriminale, pa pritur më asnjë procedurë tjetër.
Ja ku është publikimi i Ministrisë së Drejtësisë, e gjeni në faqen e saj zyrtare.
Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit.
Kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme.”, deklaroi sot Alibeaj.
Balili ende nuk është arrestuar nga policia, ndërsa kanë dalë informacione ende të pakonfirmuara se aksioni i efektivëve është dekonspiruar.