Në Ditën Botërore kundër Korrupsionit, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, deklaroi se korrupsioni në Shqipëri vijon të mbetet problem për një sërë arsyesh, sidomos për shkak të presionit nga politika.
Në aktivitetin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, Borchardt foli për dëmet që shkakton korrupsioni në vend. Ai vlerësoi përpjekjet e deritanishme të Shqipëris, por nevojitet më shumë për këtë problem serioz për vendin.
“Pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që presupozohet të luftojnë korrupsionin vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative. Progresi i qëndrueshëm në zbatimin e ligjeve dhe politikave të mirëqeverisjes duhet të ruhet, kombinuar me ndryshimet e dukshme që priten në gjyqësor.”, theksoi ambasadori.
Ai renditi disa shkaqe të nivelit të lartë të korrupsionit në vend, si pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit nga shoqëria, rrjetet e ngushta sociale, megjithatë sipas ambasadorit duhet të arrihet kombinimi masave kundër korrupsionit me incentiva të përshtatshme ekonomike për zyrtarët publikë.
“Nuk ka vend pa korrupsion dhe ai ndikon negativisht te të gjithë ne. Korrupsioni në Shqipëri, si kudo tjetër, është një problem i ndërlikuar dhe shumëdimensional. Një mjedis i korruptuar rrit kostot e të bërit biznes, shkurajon investitorët e huaj, deformon tregjet dhe përparësitë në investime dhe dëmton besimin tek administrata publike. Ai është një kërcënim i kudogjendur, që, në manifestimin e tij më të keq, i dënon me varfëri grupet tanimë të cenueshme dhe rrit pabarazinë duke devijuar fondet nga kujdesi shëndetësor, arsimi dhe shërbime të tjera thelbësore dhe duke dobësuar në të njëjtën kohë shtetin. Korrupsioni nuk është thjesht një çështje financiare. Ai mund të çojë në mungesë të ndjeshme të stabilitetit shoqëror dhe në konflikte.”, theksoi Borchardt.