Ambientalisiti Sazan Guri ishte një ndër bashkëpunëtorët e presidentit të televizionit Fax News, Kasem Hysenbelliu, i cili humbi betejën me koronavirusin.
Guri tha se Hysenbelliu la pas modelin e medias së lirë, fjalën e lirë për qytetarët.
“Ai arriti që të krijoi atë që është model i medias për qytetarin. Ne kemi tashmë një media që nuk do të humbasë. Ne kishim shpresën tek kjo media. Ai la pas një model të lirisë, pavarësinë dhe përpjekjet për fjalën e lirë. Është një humbej e madhe, familja, media, por prapë është lënë pas një model për t’u vazhduar dhe për t’u ngjizur më shpejt.”, tha Sazan Guri.
Kjo është një ditë e dhimbshme për Fax News dhe Faxweb, teksa i gjithë stafi i televizionit dhe webit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelliu.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi TV Fax News që nga Tetori 2017, ndërsa një ditë më parë ishte dhe 4 vjetori i krijimit të Faxweb.al, që daton në treg që nga data 5 Dhjetor të 2016-tës.
Zoti Hysenbelliu themeloi të parin TV të pavarur në vend, teksa Fax News u shndërrua në zërin e njerëzve të thjeshtë, duke mbrojtur disa nga kauzat qytetare, me transmetimin maratonë të protestës së Astirit, dhe kauzës së Teatrit Kombëtar.
Presidenti i Fax News që prej fillimit të pandemisë ka qenë një nga njerëzit më të kujdesshëm sa i takon masave parandaluese të përhapjes së Covid 19, por duket se ky virus na tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kursen askënd.
Me humorin, batutat, me dorën e shtrirë ndaj çdo punonjësi, presidenti i Fax News kishte arritur të ndërtonte një marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ku vendin e parë e zinte liria dhe pavarësia e kujtdo për të thënë mendimin dhe qendrimin e tij.
Të gjendur të pafjalë nga kjo humbje e jashtëzakonshme, Fax News dhe Faxweb.al do të vazhdojnë misionin e lënë përgjysmë nga presidenti, për t’iu gjendur çdo qytetari, çdo kauze, e për të qenë një pasuri në dorën e çdo shikuesi dhe lexuesi të medias sonë.
Discussion about this post