Gjatë një deklarate për median ditën e sotme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka njoftuar se ditën e nesërme nuk do jenë në Parlament, ku edhe pritet të kalojë amnistia penale.
Basha tha se në çastin më të fundit futën dispozitat për amnisti penale ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar, ndërsa për qytetarët që protestojnë nuk do të amnistohen.
“Shikoni çfarë ka ndodhur dje. Në çastin e fundit kanë futur dispozita me propozimin për amnisti që të shpëtojnë zyrtarët e korruptuar, të shpëtojnë ata që janë kapur në flagrancë me tendera korruptive, të shpëtojnë njerëzit që u kanë rënë në qafë shqiptarëve duke kërkuar ulje dënimi për politikanët e korruptuar.
Ndërsa njerëzve që u kanë rënë në qafë, për njerëzve që u kanë zaptuar pronat, për protestuesit që u ngritën për të drejtat nuk ka amnisti. I refuzuan propozimet tona, që këtyre që u shkatërrove jetën ndal koston e ndjekjes penale.
Nuk lënë rast pa na kujtuar se nuk ka të keqe më të madhe në këtë vend sesa mallkimi i kësaj qeverie më e korruptuara në Evropë. Korrupsioni i të cilës arrin dimensione të paimagjinueshme.
Synimi ynë është të jemi një shtyllë e fortë e mbështetjes politike dhe qytetare për SPAK-un, për BKH-n, për GJKKO-në. Ndaj nesër nuk do jemi në parlament, sikundër shpresoj që askush nuk do të guxojë të kthehet në një patericë të këtyre që nesër në parlament duan të falin shokët e tyre të dënuar për korrupsion, duan të ndalin hetimin e zyrtarëve që nuk i kanë deklaruar pasuritë e dyshimta të vëna në kurriz shqiptarëve.”, është shprehur Basha.