Revolucioni Bolshevik si Luftë Civile, kështu titullohej shkrimi i fundit i Andrea Stefanit, i botuar jo më larg se 1 javë më parë. Kishte zgjedhur të fliste për një nga temat më të diskutuara, nëse ka pasur apo jo realisht Luftë Civile në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Fakte historike, të dhëna, të gjitha të publikuara në shkrimin e tij të fundit, të publikuar në të përditshmen ‘’Dita’’
Shkrimi i plotë:
Ka një debat që nuk shteron lidhur me çështjen nëse ka patur luftë civile në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së II Botërore. Në dukje konvencional problemi është i rëndësishëm për të përcaktuar nëse palët ndërluftuese kishin te drejtë të bënin atë që bënë. Propaganda komuniste, duke rënë disi në konflikt edhe me mendimin akademik të deri viteve ’90, ka qenë dhe mbetet e interesuar të mohojë zhvillimin e luftës civile dhe ta justifikojë goditjen e forcave nacionaliste thjesht si bashkëpunëtorë të pushtuesit por jo si rivalë politikë në luftën për pushtet. Dhe nëse dikush rrëmben armët dhe radhitet me ushtrinë e pushtuesit kundër teje është e kuptueshme se nuk të mbetet rrugë tjetër përveçse ta godasësh me armë njësoj si pushtuesin. Në një rast të tillë nuk do të kishim një luftë civile por thjesht luftë kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por a kanë qëndruar punët vërtet kështu? Një analizë e kujdesshme e fakteve na jep të kuptojmë se gjërat nuk kanë lëvizur saktësisht sipas kësaj skeme por kanë qenë, në realitet, më të trazuara.
Gjurma e parë e debatit për luftën civile gjendet në korrik 1944 në një këmbim mesazhesh mes Enver Hoxhës dhe Shtabit Aleat të Mesdheut si dhe Uilliam Eliot, zëvendëskomandant i këtij Shtabi. Shtabi i Mesdheut qe informuar nga misionet britanike në Shqipëri se Hoxha ishte i vendosur të godiste forcat e Abaz Kupit. Kjo ndodhte në një kohë kur britanikët ishin aktivizuar për të ndërmjetësuar bisedime mes FNÇ dhe Kupit. Dhe nuk ka dyshim se një përplasje mes këtyre dy forcave, britanikët e konsideronin një luftë civile. Kjo shihet qartë në një mesazh dërguar në Foreign Office nga Forca 399 në Bari. Në të shkruhet se britanikët kishin vendosur të dërgonin Kapitenin Smith te Mclean “…me një letër për Kupin dhe FNÇ, ku u kërkohet te dy palëve të hynë në bisedime ose, po qe se lufta ka filluar, të ndërpresin konfliktin civil. FNÇ është ftuar të dërgojë tre delegatë në Itali që të mënjanohet lufta civile dhe që të përcaktohen kushtet për veprime të përhershme kundër armikut të përbashkët…Komanda Supreme nuk do të tolerojë luftën civile sepse ajo bie ndesh me strategjinë aleate…”. Ky mesazh është i 4 korrikut 1944. Edhe në mesazhin dërguar Hoxhës në 14 korrik nga Nënmarshalli Eliot ndër të tjera shkruhet: “Shërbimi më i madh që mund t’i bëhet armikut në vendin tuaj është të filloni një luftë civile. Parandalimi i kësaj është brenda kompetencave tuaja. Prandaj unë ju bëj juve personalisht përgjegjës…”.
Por pavarësisht nga këto konsiderata Enver Hoxha qe i vendosur të fillonte luftën civile dhe njëherazi ta maskonte atë si luftë kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Britanikët ishin korrektë kur kërkonin bashkëpunim të komunistëve dhe nacionalistëve për të luftuar ushtrinë gjermane por Hoxha ishte koshient se një bashkëpunim i tillë nënkuptonte automatikisht edhe një kosto politike për çështjen e pushtetit pas lufte. Ky në fakt, qe preokupimi kryesor i Hoxhës, çështja kryesore e revolucionit që ai po e thellonte të maskuar me luftën për çlirim. |Dhe që të rriteshin shanset e suksesit të këtij revolucioni, marrja e pushtetit, duhej që trualli te qe sa më i pastruar nga rivalët e mundshëm politikë. Ndryshe nga shumica a nacionalistëve, Enver Hoxha e kish kuptuar se lufta kundër pushtuesve gjermanë, më shumë se sa një investim për çlirimin e vendit (gjë që do të ndodhte herët a vonë për faktin sepse Rajhu i III e kish marrë tatëpjetën) ishte tashmë një investim për marrjen e pushtetit. Rrjedhimisht, ai nuk donte që një forcë tjetër, si Legaliteti për shembull, të bënte një investim të tillë që mund t’i hapte rrugën drejt pushtetit. Prandaj, shikonte me armiqësi faktin që britanikët po përpiqeshin të mobilizonin Ballin dhe Legalitetin për të luftuar kundër pushtuesit. Qysh në 3 nëntor 1943, në një qarkore dërguar komiteteve të PKSH në qarqe, Hoxha nënvizonte se “ata si anglezë janë kryesisht të interesuar për luftën kundër gjermanëve, pasi ata janë duke u përpjekur të nxisin Ballin Kombëtar për të luftuar gjermanët tani, me qëllim që të lënë pas luftës një rival tjetër të pushtetit tonë”. Pra, ajo që shqetësonte realisht Hoxhën në ato momente nuk qe mobilizimi i sa më shumë forcave kundër armikut të përbashkët po ruajtja e statusit të FNÇ si e vetmja forcë që po luftonte pushtuesit. Gjithkush tjetër që nuk bënte pjesë në FNÇ, duhej të shpallej tradhtar, kolaboracionist dhe duhej eliminuar nga skakiera politike.
Pra Hoxhës nuk i bëhej fare vonë që të niste , sikundër me të drejtë shqetësoheshin britanikët, një luftë civile ishte në favor të pushtuesit. Nëse lufta civile i shërbente rrëmbimit të pushtetit ai qe i vendosur ta bënte edhe në dëm të luftës kundër pushtuesit. Këtu na shfaqet edhe një herë dyfytyrësia dhe mungesa e parimësisë nga ana e Hoxhës. Kish qenë ai që kish bërë thirrje që të bashkoheshin të gjithë në luftë kundër pushtuesit duke premtuar se çështja e pushtetit duhej të zgjidhej pas lufte me zgjedhje të lira e demokratike. Por në momentin që e ndjeu veten të fuqishëm ushtarakisht, nuk e përballoi dot epshin për të fshirë me luftë civile terrenin politik nga të gjithë rivalët e mundshëm politikë. Sa kohë që Legaliteti, nëse hynte në luftë kundër gjermanëve, mund të konsiderohej rivale e PKSH për pushtetin e ardhshëm, do qe më mirë që të spastrohej me luftë civile sa nuk qe vonë. Por kjo duhej bërë duke e maskuar me gjoja domosdoshmërinë e luftës kundër gjermanëve. Prandaj Abaz Kupi dhe forcat e tij duhej të damkoseshin si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Për këtë shkak, në përgjigjen që i dërgon në 12 korrik 1944, Shtabit Aleat të Mesdheut, Hoxha këmbëngul se në Shqipëri nuk kish grindje të brendshme dhe aq më pak luftë civile por kish vetëm një grindje dhe një luftë, kundër okupatorit në radhë të parë dhe kundër veglave të tij tradhtare. Dhe kjo dredhi politike e ish-diktatorit, është teza e historiografisë komuniste por edhe e mbrojtur edhe sot e kësaj dite nga disa historianë.
Dokumentet dëshmojnë se deri në momentet që flasim (korrik 1944) nuk kish patur ndonjë bashkëpunim të dukshëm të Legalitetit me gjermanët që ta bindte Hoxhën për të gjitha akuzat që bënte ndaj legalistëve. Logjikisht, nuk mund të mos konstatosh se nëse legalistët do të ishin bërë kuislingë, britanikët nuk do të mundnin të bënin thirrje për bashkëpunim me ta. Ndërkaq, kishte ende mundësi që forcat e Legalitetit të hidheshin në luftë kundër gjermanëve. Por shihet qartë, se për shkak të llogarive politike për pushtet, Hoxha nuk kish asnjë dëshirë që legalistët ta bënin një gjë të tillë. Atij i duhet që ata të ishin tradhtarë të kombit dhe prandaj nxitoi t’i shpallë të tillë dhe t’i luftojë si të tillë. Urdhri i dhënë për kalimin e divizionit të I-re në Veri ka qenë në funksion të kësaj strategjie. Kemi të bëjmë me një rast të sabotimit, cungimit të luftës kundër pushtuesit për hir të marrjes së pushtetit me dhunë të maskuar me luftën për çlirim. Është, gjithashtu, edhe një rast i zhvillimit të luftës civile maskuar me luftën kundër okupatorit. Dhe pikërisht, në sajë të një taktike të tillë djallëzore Hoxha mundi të realizojë gërshetimin e luftës për çlirim me revolucionin bolshevik duke shmangur kështu, sikundër është dhe tipike për revolucionin bolshevik në një vend të prapambetur, edhe fazën demokratiko-borgjeze të zhvillimit.
Enver Hoxha është mburrur që ka mundur të zhvillojë paralel me luftën për çlirim edhe revolucionin proletar për marrjen e pushtetit. Por nuk e ka kuptuar se një mburrje e tillë ishte njëherazi edhe një pohim për zhvillimin e luftës civile. Sepse thelbi i një revolucioni bolshevik është marrja e pushtetit me dhunë nëpërmjet një luftë civile ku të paktën dy palë, përleshem me armë për pushtetin. Është fakt se përplasja e armatosur mes FNÇ dhe forcave të Legalitetit, nuk erdhi si domosdoshmëri e luftës kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij (përkundrazi u bë në dëm të saj) por në funksion të luftës për pushtet. Dhe kur të paktën dy forca politiko-ushtarake përplasen në funksion të marrjes së pushtetit, kemi të bëjmë me një luftë civile. Pak rëndësi ka shkalla apo kohëzgjatja e kësaj përplasjeje. Pak rëndësi ka nëse vendi është i pushtuar apo jo. Lufta civile, sikundër provojnë dokumentet historike, ndjek rrjedhën e saj dhe prezenca e pushtuesit nuk e ndal atë. Teza se nuk mund të ketë luftë civile në një vend të pushtuar ku zhvillohet luftë kundër pushtuesit është një alibi banale që të kujton fabulën e hajdutit që pasi dëgjoi mbrojtjen elokuente që i bëri avokati i tij, mendonte se nuk ishte më hajdut! Do të isha hajdut po të mos ishte mbrojtja e avokatit! Do të ishte luftë civile po të mos kishte gjermanë! E tillë është edhe teza tjetër se mund të ekzistojnë elementë të luftës civile por jo lufta civile vetë! Po askush nuk thotë se cilët qenkan këta elementë prezentë të luftës civile dhe cilët janë ata elementë që i mungojnë asaj që të jetë tamam një luftë civile.
Udhëheqja bolshevike, me Enver Hoxhën në krye, zhvilluan një luftë civile për pushtet te maskuar me luftë kundër okupatorit. Kjo u arrit duke shpallur padrejtësisht tradhtare edhe ato forca dhe ata njerëz që nuk ishin në realitet bashkëpunëtorë të pushtuesit. Dhe me këtë ju shkaktua një dëm i madh luftës kundër tij. Por damka e padrejtë e tradhtisë, do të bëhej gjithashtu edhe “argumenti” që do t’i jepte “të drejtë” Enver Hoxhës jo vetëm për të asgjësuar forcat nacionaliste por edhe të shmangte pas luftës, zgjedhjet demokratike për qeverinë dhe formën e regjimit, si dhe të zhvillonte një luftë klasash që për 45 vjet, do të sillte mjerim për një pjesë të popullsisë së Shqipërisë ndërsa do të mbante nën terror pjesën tjetër të saj.
Për shkak të terminologjisë tepër të pasaktësuar, tema që po debatojmë lë mjaft vend për interpretime dhe subjektivizma. Vetë termi luftë civile interpretohet në mënyra të ndryshme. Por sikundër ka konstatuar historiania Ana Lalaj në një prej botimeve të saj të fundit (Dosjet e Luftës), “Enver Hoxha e kundërshtoi tezën se në Shqipëri ishte duke ndodhur luftë civile, pasi atij i duhej të përligjte operacionet ndëshkuese në Veriun e vendit, që deri atëherë kontrollohej nga Abaz Kupi dhe bajraktarë të tjerë e që sipas tij ishin të gjithë tradhtarë e “vegla të armikut”. Lalaj konstaton se edhe bashkëpunëtorë të afërt të Enver Hoxhës, si Mehmet Shehu, e kanë pranuar dikur se lufta nacionalçlirimtare “…përveç karakterit antifashist… u pleks edhe me luftën e klasave, e cila…në të vërtetë ka qenë luftë civile”. Një tezë që e ka çuar më tej edhe Prof. Luan Omari që, në vitin 1977, ka pohuar se përveç karakterit nacionalçlirimitar, lufta “mori edhe karakter më të theksuar klase, në formën e saj më të ashpër, në formën e luftës civile”. Edhe në maketin parë të Historisë së Shqipërisë, botuar në vitin 1952 nga Instituti i Shkencave thuhet se lufta civile kish filluar në vitin 1943.