Kur flitet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, jemi të vetëdijshëm se shteti me skeptik që gjithmonë ka qenë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, është Holanda. Kjo pasi sipas tyre, Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Në qershor të këtij viti, pritet të mbahet konferenca ndërqeveritare ku do të diskutohet hapja e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me këtë çështje Fax News, ka marrë një prononcim nga ambasadorja holandeze e cila ka qenë ditën e sotme në një vizitë në qytetin e Shkodrës. Ambasadorja Guusje Korthals Altes e pranishme në Shkodër në një ekspozitë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, u pyet nga Fax News, për qëndrimin që do të mbajë Holanda lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Atles deklaroi se Holanda është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Europian për progresin e Shqipërisë sa i përket anëtarësimit në BE dhe më pas mund të ketë një përgjigje. Më tej ajo nuk dha detaje të reja rreth kësaj çështje.