Sot në Kuvend po mbahet interpelanca mes ministrit të Financave Arben Ahmetaj, kërkuar nga ana e deputetit socialist Erion Braçe.
Arben Ahmetaj në këtë seancë që lidhej me kontrollin ekonomik në FSHF theksoi se futbolli është shumë larg formalizimit, duke zbuluar pagat e disa prej futbollistëve të skuadrava më në zë të vendit. Shumë prej tyre marrin paga qesharake, duke lënë të kuptohet se një pjesë e mirë e pagesave kryhen sot nën dorë.
“Te Skënderbeu, Kristi Vangjeli paguhet 100 000 lekë në muaj, më pak sesa ekonomistja e klubit. De Sousa merr 22 000 lekë në muaj. Nuk ka të hajë me kaq, jo që të luajë futboll. Te Tirana, trajneri Gugash Magani punonte pa lekë fare.
Pastaj kemi Klodian Dervishin e Partizanit, edhe ky pa lekë. Ze Maria merr 90 000 lekë, aq sa Ilion Lika. Astrit Nallbani merr vetëm 1 lek. Pra, klubet e futbollit janë shumë larg nga formalizimi”, deklaroi Ahmetaj.
Më tej, ministri shtoi se “futbolli ka nevojë për formalizim”.
“Është emergjencë, FSHF-ja po avancon në këtë drejtim krahasuar me vitin 2014, por jemi ende larg formalizimit. Është e dukshme që sporti ka nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe formalizim. Vetëm me formalizim i kthehet dinjiteti atyre lojtarëve që i trajtuam si heronj në Evropian”, tha Ahmetaj.
(E.K/FAXWEB.AL)