Edhe pse sot gjithçka është nëntokë, qyteti i lashtë antik ilir Arnisa në Babunjë të Lushnjës befason ekipet kërkimore të arkeologëve me zbulimet e rralla në rrënojat e tij.
Zbulimet e deritanishme datojnë disa shtresime historike me zanafillë 2600-vjeçare ndërsa muri mbrojtës është ndërtuar në shekullin e lV p.e.s , kohë kjo e lulëzimit të kulturave ilire. Në vitin 2018 si rezultat i punës kërkimore të institutit të Arkeologjisë në bashkëpunim me një ekip gjerman , u zbulua një vepër artistike e pagëzuar “Kalorësi i Babunjës”, një kompozim në bronz 14-15 centimetra i lartë që paraqet një kalorës mbi kalë dhe që i përket periudhës arkaike. Adriatik Rrasa, pjesëtar i ekspeditës arkeologjike shqiptaro-gjermane , tregon plot emocion momentin e zbulimit të kalorësit të armatosur mbi një kalë ku edhe pse detajet ishin të mbuluara nga dheu, mjeshtëria e jashtëzakonshme e figurës u duk menjëherë.
Për vlerat e rralla që mbart, instituti “ Getty” në SHBA bëri të mundur restaurimin e statujës 2500 vjeçare prej bronzi ndërkohë që gërmimi ishte pjesë e një projekti të madh që konsiston në thellimin e të dhënave mbi procesin e “ Kolonizimit në Ilirinë e Jugut” ku në fokus ka qenë rasti i Apolonisë.
Madje në bazë te rezultateve studiuesit mendojnë se mund të bëhet fjalë për një qytet bij të Apolonisë. Formën e një qyteti, Arnisa e mori në shekullin e lV p.e.s, kur me të njëjtën teknikë si të Apolonisë u krijua muri rrethues dhe është një qytet relativisht i vogël që shtrihet në një sipërfaqe prej 6 ha.
Peisazhi i mrekullueshëm , terreni i favorshëm bujqësor e blegtoral si dhe shfrytëzimi i lumit Seman për të lundruar drejt Apolonisë, duket se përbënin avantazhet për një jetesë të mirë të popullsisë që u vendos aty rreth fillimit të shekullit të 6 para Krishtit ndërkohë që drejtuesit e ekspozitës të ndihmuar edhe nga teknologjitë e reja , kanë përcaktuar se qyteti kishte një rrugë kryesore në të dyja anët e së cilës degëzoheshin 13 të tjera.
Gërmimet në Babunjë aktualisht janë të ndërprera për mungesë fondesh, por nëse Arnisës do t’i jepej vëmendja e duhur mund të kthehej në një Park Arkeologjik me përfitime kulturore e materiale për zonën, theksoi Rrasa. Në përfundim të ekspozitës e cila do të shfaqet në Muzeun Getty Villa nga 26 korriku i vitit 2023 deri në 29 Janar 2024, statuja e “ Kalorësit të Babunjës” siç e kanë quajtur arkeologët do të kthehet në Shqipëri dhe mendohet të shfaqet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.