Ipeshkvi i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit Gieorgo Frendo, ka folur për herë të parë publikisht për vendimin e kishës katolike për t’u mbyllur derën politikanëve për pritjen zyrtare të Krishlindjeve.
“Unë për 10 vjet kam qenë zëvendës i Imzot Rrok Mirditës dhe për 10 vjet kam qenë në këto pritje dhe çdo herë jam ndjerë si në kundërshtim me besimin tim. Fakti që është festë e lindjes së Jezusit në një varfëri ekstreme, ata që e kanë pritur Jezusin në Betlehem kanë qenë më të përjashtuarit, barinj.
Ne prisnim njerëz me pozicion të lartë. Kisha shumë frikë në fillim si do të reagojnë për këtë vendim. Reaguan shumë pozitivisht më shumë se ç’kisha menduar unë, meqë jam edhe i huaj. Të gjitha komentet ishin pozitive, me përjashtime të vogla. Shpresoj se pasi kemi filluar, të vazhdojmë me këtë praktikë.”, ka deklaruar ipeshkvi.
I ftuar në emisionin e një televizioni informativ, Frendo e mohoi që ky vendim të kishte të bënte me faktin se ai nuk ka respekt për politikanët.
“Edhe atë ditë kur jam emëruar si arqipeshv, kam thënë se kam respekt për politikanët. Edhe fjala ministër në latinisht do të thotë shërbëtor. Por nga ana tjetër, besoj se është më mirë të ndjej pulsin e popullit dhe të ndjej më afër popullin.”, shton Frendo.
Ndër të tjera ipeshkvi foli edhe për tolerancën fetare në Shqipëri, e cila sipas tij është e vërtetë dhe jo sipërfaqësore.
“Unë them se është më shumë se tolerancë, harmoni fetare. Nuk është thjesht tolerancë por harmoni dhe besoj se është e sinqertë. Unë nuk besoj se shqiptarët janë më pak besimtarë se popujt e tjerë. Çdo vit për pashkët kemi një numër të konsiderueshëm të personave që kërkojnë të pagëzohen.
Duke krahasuar besimtarët shqiptarë me vendet e tjera, shoh sa shumë të rinj vijnë në kishë ditën e diel që fatkeqësisht në shumë vende perëndimore nuk shihen. Unë kam qenë në vendin tim në Maltë në verë por edhe atje ndihet shpirti i tepër i shekullarizuar. Numri i të rinjve që vizitojnë kishën është duke zbritur. Në vende perëndimore shumë herë besimi vlerësohet si diçka tradicional.”, shprehet Frendo. (D.D/Shuplaka)