Dy vëllezër me inicialet A.Ç. dhe B.Ç., përkatësisht 53 dhe 46 vjeç janë arrestuar në flagrancë duke transportuar drejt Tiranës katër shtetas të huaj në mënyrë të paligjshme.
Policia sekuestroi shumën 400 euro të fituar kundrejt transportit të paligjshëm, si provë materiale.
Njëri prej vëllezërve, B.Ç. ka qenë i dënuar edhe më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Njoftimi i plotë i Policisë:
“Goditet një tjetër rast i transportimit të shtetasve të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilishti”.
Arrestohen në flagrancë dy vëllezër.
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bilisht, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së, finalizuan një tjetër operacion, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A.Ç., 53 vjeç dhe B. Ç., 46 vjeç (i dënuar më parë për veprën pënale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”), vëllezër, të dy banues në Tiranë.
Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrollet që punonjësit e Komisariatit Bilisht ushtruan në afërsi të stadiumit, shtetasit e lartpërmendur u kapën me mjetin tip “Renault” duke transportuar në drejtim të Tiranës, katër shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400 euro në total, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.”