Policia e Elbasanit ka shoqëruar në Komisariat një shtetas i cili sapo ishte kthyer nga Egjipti dhe që dhyshohet se ka lidhje me terrorizmin.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për Bledar Ibrahimin i cili është shoqëruar gjatë ditës së sotme me qëllim ekstradimi, 28 – vjeçari i kërkuar nga Drejtësia Italiane.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se Interpol Roma në datë 15.04.2019 e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbi bazën e vendimit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Republikës Italiane në mars 2019, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste, parashikuar nga neni 270 i Kodit Penal italian.
Ky person më parë është deportuar nga Italia si person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike në Itali, pasi dyshohet të jetë i përfshirë me organizata terroriste në Itali dhe Egjipt.
Njoftimi i Policisë:
Operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe DVP Elbasan
Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi, një 28 – vjeçar i kërkuar nga Drejtësia Italiane.
Në vijim të punës për parandalimin e terrorizmit, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm, strukturat e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, si rezultat i informacioneve të marra dhe punës investigative, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, operacionin për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Si rezultat i operacionit, nga agjentët e Antiterrorit u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar B. I., 28 vjeç, banues në Elbasan.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se Interpol Roma në datë 15.04.2019 e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbi bazën e vendimit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Republikës Italiane në mars 2019, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste, parashikuar nga neni 270 i Kodit Penal italian.
Ky person më parë është deportuar nga Italia si person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike në Itali, pasi dyshohet të jetë i përfshirë me organizata terroriste në Itali dhe Egjipt.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi, i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
(F.GJ/FAXWEB.AL)