Nga Artan Fuga
Më 26 nëndor një vit më parë tërmeti i pabesë shkatërroi ekonominë, banesat, jetën e qetë, botën shpirtrore të mijra vogëlushëve, mbi të gjitha bëri të humbin jetën 51 bashkëpatriotë duke u rënë brinjë më brinjë dhjetra familjeve.
Padyshim fajtore është natyra, por edhe ne me politikat tona të urbanizimit, dhe me cilësinë pakontroll hera herës të ndërtimeve që zunë poshtë njerëz.
Dje, një vit më vonë, politikanë, qeveritarë, deputetë, u vërsulën para të gjitha kamerave dhe bënë politikën e sherrit me dhimbjen e kombit para një viti, me të vdekurit, me dhimbjen e familjeve.
Monologje vetëlvadëruese, kërkim votash në mënyrë indirekte të qepur me pe të bardhë ose me spango opingarësh, qarje hipokritësh, larje e vesit me një minutë zi, mpleksje shpatash aq sa askush nga ne nuk mori vesh nëse njerëzit janë rehatuar pas një viti apo fondet janë vjedhur, sepse askush nuk fliste me shifra të plota dhe të besueshme.
Vetëlavdërimet e njerëzve me pushtet që në fakt duhej të mendonin se në gjithçka duhej bërë ato ditë ishte paguar nga qytetari me rroga e privilegje për ta, se nuk do të bënin veçse detyrën, pa e përmendur kurrë, por kokëulur të na thoshin ato që nuk bënë, nuk ditën, nuk donin, u vodhën, shpërdoruan, apo nuk bëheshin dot!
Politika mbi katastrofat është politika e horrorit dhe sa për kontorno para kamerave dolën dhe ca familjarë që qanin hallet dhe dhimbjet e tyre, por shërbenin si sfond për politikën e horrorit që kaplloi dje trutë tona.
Dhe sikur të mos kishte mjaftuar kjo, deputetët na dhanë edhe një komision për komisionin e Dik Cmendanikut duke na bërë përsëri sulme kundër opozitës nga foltorja e Kuvendit me horrore të imagjinuara mbetura pa prova për heqje veshkash, trushë, mëlçish, diku andej ku kryeqeveritari na tha pak ditë më parë se kishte qenë gjak thish (derrash)
Horrori dhe politika televizive e horrit u kompletua edhe më shumë duke e mbuluar me gjak trurin e lodhur të shqiptarit që zhytur kokën mes krahëve e bëjnë të bërtasi në mes të rrugëve të planetit : O pushtetarë, o politikanë, na mbroni!
Dhe sikur mos të mjaftonte kjo grindja vazhdon me numurime të vdekurish nga Covid19 a thua se mirë lekët, mirë fondet, mirë domatet, të papunët nuk dimë t’i numurojmë, por nuk dimë të numurojmë as të vdekurit. Ja ku e kemi çuar Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mijra të vdekur të cilët dëgjojmë se është “normale” vdekja e tyre dhe se mund të kishin qenë edhe më shumë!!!
Vdekjet kanë inonduar psikologjinë tonë kolektive. Me vdekje na trembin, me vdekje bëhet politikë, me horrore vdekjesh thurren fushata elektorale, me horrorin e telepolitikës bëhen karriera, me të kafka të vdekurish ndërtohen barrikada politike dhe qytetari është zhytur në një realitet si në fiksionet më të llahtarshme te ndonjë filmi horror të Netfliksit.
Qytetari i shkretë i tmerruar zhytur në frikën e apokalipsit!