Disa personazhë të njohur të medies janë përfshirë në debatin më të fundit lidhur me deklaratat e imamit Elvis Naçi për tradhëtinë dhe marrëdhëniet bashkëshortore.
Teksa pyet se pse na shqetëson kaq shumë mendimi në një vend e në një kontekst të dhënë i një kleriku mbi tradhëtinë, Sonila Meço nxjerr si konkluzion se asnjë institucion sot nuk arrin te individi. Si shembull sjell sistemin e edukimit, familjen, shtetin.
KOMENTI I PLOTË:
”Pse duhet të jetojmë me konkluzionet e mendimeve të të tjerëve? Pse na shqetëson kaq shumë mendimi në një vend e një kontekst të dhënë i një kleriku mbi tradhëtinë?
Sepse asnjë institucion sot nuk arrin tek individi, jo për dogmën, por për ta ndihmuar të arsyetojë mbi mendimet e dijet e veta të pasura. Kjo histeri kolektive ndaj Elvis Naçit është zhurma që bën dështimi i të gjitha ngrehinave që do lejonin njeriun të edukohet, arsyetojë e mësojë të sfidojë me idetë e veta. Që nga familja, shkolla, media e vetë shteti.
Kleriku që deklaron diçka që unë nuk e ndaj, nuk do shndërrohej në lajm dite për tu kafshuar egër ndër dhëmbë të skërmitur, nëse ne nuk do ishim kaq lehtë të manipulueshëm, si nga ai vetë, si nga zhurma kundër tij.
Tani a rinisim duke i kërkuar Elvisit një ide më të qartë mbi ku, kur, pse e për kë e tha? Dhe të merremi po me të njëjtin seriozitet e skandalizim për shkollën që nuk edukon mendimin kritik? Për familjen që po i mbijeton divorceve në numrin më të lartë historik të shoqërisë e dhunës në ekstrem, brrejtur nga pasiguria e jetës? Për median që nuk mban asnjë përgjegjësi për edukimin, por vetëm audiencën? Për shtetarët, që dogmë hyjnore kanë paranë, arrogancën dhe abuzimin me gjithçka publike? Për ekonominë që ndjek dogmën paralitike paraja sjell paranë?
Dhe po, pasi të bëjmë këtë, ta krehim mirë veten deri në kockë, aty ku mund të marrim vesh nëse edhe vetë jemi burgosur në burgjet e dogmave imponuar nga të tjerë, mund të teshtijmë me sharje e hartime patetike çdo fjalim, përkushtim, bisedë a pëshpëritje të përgjuar të kujtdo na rri ngushtë a gjerë.” (V.G/SHUPLAKA)