Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat mbrëmjen e djeshme pas atentatit mafioz ndaj të riut nga Lezha Briken Sanaj. Mësohet se 39 vjeçari u ekzekutua në sy të shumë dëshmitarëve okularë, dhe prandaj ata po merren në pyetje për të zbardhur më shumë detaje mbi krimin e rëndë.
Në reagimin e saj zyrtar, policia thotë se pas vrasjes së ndodhur te “Kodra e Diellit”, në Qafë Kashar është gjetur një automjet i djegur, që dyshohet të jetë i autorëve. Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Tiranës për kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion parapak
Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë shoqëruar disa persona në Polici.
Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.