Real Madrid humbi “El Classico-n” e parë për këtë sezon, teksa humbi me rezultatin e thellë 5-1 nga Barcelona në “Cump Nou”. Kjo humbje konfirmoi akoma më shumë krizën që ka kapluar klubin madrilen, por ndonëse të gjithë prisnim dorëheqjen e Lopetegui, ky i fundit ka habitur me qëndrimin e tij. Pavarësisht ecurisë negative nga ndeshja në ndeshje, Julen Lopetegui nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Në konferencën përpara gazetarëve pas përfundimit të takimit, trajneri spanjoll tha se pret me qetësi vendimin e klubit, teksa u shpreh optimist për fatet e sezonit. Na ana tjetër kujtojmë se mediet ndërkombëtare flasin se Antonio Conte mund të zëvendësojë Lopeteguin, nëse ai do të shkarkohet nga klubi.
“Një humbje është gjithmonë e vështirë, aq më shumë në shtëpinë e Barcelonës. Por kishim raste të pastra për të barazuar ndeshjen e për të ndryshuar fatin e saj. Kjo është një skuadër me probleme por rezultati përfundimtar nuk reflekton realitetin e ndeshjes.
Nëse nuk kam dhënë dorëheqjen deri tani, atëherë mos e prisni. Unë thjesht dua të rrit moralin e lojtarëve të mi. Edhe një herë nuk kemi marrë atë që meritonim. Unë kam besim te ky ekip e këta lojtarë.
Jam i trishtuar, si të gjithë në dhomat e zhveshjeve, por kam forca për të reaguar. Jam trajneri, jemi në tetor, është një goditje e rëndë por kam forcë. Situata mund të përmbyset, pasi ka kohë dhe ne kemi cilësi. Na kanë prishur punë dëmtimet, ka lojtarë të tjerë të cilët tani po vijnë në formë. Unë kam forcë për të drejtuar ekipin, për këtë nuk kam asnjë dyshim.
Në fund nuk jam unë që marr vendimet. Kam shpjeguar atë që mendoj dhe besimin që kam në këtë ekip. Pjesa tjetër nuk është përgjegjësia ime”, ka deklaruar trajneri.
(B.B/ Faxweb.al)