Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi përsëri Policinë e Shtetit nga sheshi pranë Bashkisë, ku u bashkuan dy grupet protestuese.
Shkak sipas tij ishte dhuna e ushtruar dhe zbatimi i urdhrave të paligjshëm nga uniformat blu në tre prej pikave, ku u përdor edhe gaz lotsjellës dhe ujë. Madje ai kujtoi aksionin e SPAK, duke thënë se u zbatuan vetëm urdhrat e arrestit jashtë vendit dhe jo ato në Shqipëri, e sipas tij kjo tregon se Policia është e lidhur me krimin.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, s’njeh Kushtetutë dhe zbaton vetëm urdhta të paligjshëm. Në pikat e protestës ishin efektivë pa numër policie pa identifikim, s’e dimë nëse janë anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë ishin. Në pikat që nuk pati ndërhyrje të dhunshme të Policisë duket se atje ka pasur efektivë që e kanë kuptuar se urdhrat jepeshin me mesazh dhe ishin të paligjshëm. Kurse në dy pikat e tjera kishin marrë urdhër për ta shkelur ligjin”, tha Bardhi.
I pyetur se sa do vijojë kjo protestë, deputeti tha se tani e kanë qytetarët në doë dhe do zbatohet vullneti i tyre.
“Protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar, te Bashkia. Do i bindëmi vullnetit të qytetarvëe, se deri kur do vazhdojë mosbindja civile. Kështu është kur ke polici nën ombrellën e krimit të organizuar, që lag qytetarët, hedh gaz lotsjellës dhe dhunon. Hapat tona do i bëjmë të ditura hap pas hapi”, tha deputeti.