Kryedemokrati Lulzin Basha zhvilloi ditën e sotme një takim me simpatizantë të Partisë Demokratike në Njësinë 11. Teksa takoi qytetarët në rrugën ‘Don Bosko’ në momentin që do të merrte fjalën përpara turmës së grumbulluar rreth tij, pati një shkëputje të energjisë elektrike.
Basha sidoqoftë e vijoi fjalën pa mikrofon, duke thënë se ata mund ta heqin energjinë elektrike dhe për 5-6 ditë të tjera, por për 10 ditë energjia për ndryshim do të ndezë shpresën e shqiptarëve.
“Siç e shihni jam pa mikrofon. Më thonë se kanë hequr dritat. Ata mund të heqin energjinë, siç kanë lënë në errësirë 8 vite Shqipërinë, edhe për 5 apo 6 ditë të tjera. Por, për 10 ditë energjia për ndryshim do ndezë dritën e shpresës në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.