Bashkia e Kukësit do të zbatojë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve lokale.
Me një shkresë zyrtare kjo bashki ka kërkuar lirimin e ambienteve nga KQZ e cila ka nisur punën për organizimin e procesit zgjedhor.
I regjistruar në garë për postin e kryebashkiakut në Kukës nga Partia Socialiste është Safet Gjici, ndërsa do të përballet me Abedin Uruçin nga Bindja Demokratike.
Pak ditë më parë presidenti Ilir Meta në një deklaratë për shtyp zhdekretoi vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor për shkak të precipitimit të krizës politike dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit.
Ndërkohë sot Bashkia e Kukësit e cila administrohet nga Bashkim Shehu, përfaqësues i PD-së ka kërkuar nga KQZ lirimin e ambienteve dhe heqjen e listave të zgjedhësve të afishuara në mjediset e përcaktuara.