Një histori e rëndë korrupsioni që vijon: Kush është pas kompanisë “Serenissima” që fitoi tenderin e parë për ndërtimin e Bypassit Fier – Vlorë. Si u “zhduk” duke lënë pas rrugën e pabërë dhe një mal me borxhe. Si ia zuri vendin kompania mëmë “Mantovani” dhe Gener 2 e Ulajt të skandalit të Unazës dhe OST-së. Një lidhje gjigante korruptive e hetuar në Itali për të cilën heshtet në Shqipëri. Si është përfshirë ARRSH dhe pse nuk u bë asnjë ceremoni inaugurimi
Në 2013, “Serenissima Construzioni SpA” fitoi tenderin për ndërtimin e Bypass Fier – Vlorë.
Sipas kontratës data e përfundimit të punimeve do të ishte 15 tetor 2017.
Në 15 maj 2017, ARRSH procedoi ndërprerjen e kontratës si pasojë e performancës së dobët të “Serenissima”, mungesës së realizimit të punimeve për një periudhë të gjatë kohore, detyrimeve në rritje të papaguara ndaj punonjësve dhe nënkontratorëve të saj.
“Serenissima Construzioni SpA” ishte 100% nën kontrollin e grupit “A4 Holding” (apo A4 Holding S.p.a.).
Me blerjen e shumicës së aksioneve te saj nga “Abertis”, kjo e fundit e shiti për 1 euro tek dy shoqëri të vogla “Lci” srl (60%) dhe “Epis” srl (40%) duke lënë të pambuluar borxhin (miliona euro) ndaj kompanive të nënkontraktuara prej saj në ndërtimin e Bypass Fier – Vlorë.
Nga dega në degë, “bija” përfiton dhe ia le vendin “mëmës” dhe… Gener 2
Grupi “A4 Holding” përfaqësonte një konsorcium, i cili përpara se të blihej në vitin 2017 nga kompania spanjolle “Abertis”, kontrollohej prej:
Aksionerit kryesor, Banka Intesa Sanpaolo (përmes 65.92% të të drejtave të votës në “Re.Consult Infrastrutture”)
Aksionerit të dytë më të madh, “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani” (drejtpërdrejtë me 0.1617% të të drejtave të votës të saj, si dhe indirekt përmes 8.3732% të të drejtave të votës tek “Società delle Autostrade Serenissima”.
Kjo e fundit, është shoqëri nën kontrollin e drejtpërdrejtë të “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”, përmes 51.99% të të drejtave të votës të saj në këtë shoqëri, si dhe 11.70% të votave të shoqërisë së kontrolluar prej saj, “Serenissima Holding”, e cila është zotëruese e FIP Industriale SPA.
Pas shitjes për çmimin qesharak prej 1 euro dhe falimentimit të shoqërisë “Serenissima Construzioni SpA”, shoqëria kontrolluese e saj “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”, mori pjesë së bashku me Gener 2 dhe u shpall në fundin e vitit 2018, fitues në tenderin për ndërtimin e Bypass të Vlorës.
Pra, shoqëria bijë “Serenissima Construzioni SpA”, pasi mori përfitimet dhe la një mal me borxhe, falimentoi dhe vendin e saj e zuri mëma, “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”, të cilën e kanë shoqëruar në shtetin italian një sërë skandalesh.
Për më tepër duan edhe dëmshpërblim. ARRSH, pasive
Për më tepër, “Serenissima Construzioni SpA”, ka ngritur Claim (kërkesë pretenduese) e po kërkon penalitete ndaj shtetit shqiptar për ndërprerjen e kontratës së saj me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe nuk është çudi që të përfitojë si dëmshpërblim të gjithë fitimin e planifikuar sikur rruga të ishte e përfunduar.
Një gjë e tillë është për t’u verifikuar, por ekziston mundësia që Autoriteti Rrugor Shqiptar të mos ketë vepruar (ashtu siç rëndom institucionet shtetërore nuk veprojnë) në lidhje me kundërshtimin e kësaj kërkese pretenduese duke bërë të mundur hapjen e dritës jeshile për përfitim të dyfishtë.
Justifikimi që do serviret është ai i përhershmi, me pretekstin se penalitetet i mbart kontrata, siç ka ndodhur rëndom në gjobitjet që i janë bërë shtetit shqiptar nga kompani të huaja, të cilave u është ndërprerë kontrata.
Skandalet në Itali, një lidhje gjigante korruptive
Gjykata Italiane e Auditorëve (“Corte dei Conti”) publikoi në Mars 2011 duke ngritur shqetësime serioze për disa aspekte të diskutueshme të ndërtimit dhe menaxhimit të projektit “Passante di Mestre”, duke përfshirë edhe mungesën e mbikëqyrjen publike dhe kontrollin që çon në rritjen e pajustifikuar të kostove, rrezikun e infiltrimit të organizatave të krimit të organizuar në nënkontraktimin e punimeve të ndërtimit.
Në maj 2014 dhe në korrik 2014, prokurorët e Venecias arrestuan për korrupsion dhe mashtrim disa politikanë të lartë (duke përfshirë kryebashkiakun e Venecias dhe guvernatorin e rajonit të Venetos), sipërmarrës dhe ish-oficerët e policisë financiare në Venecia dhe Veneto.
Drejtori i Përgjithshëm i FIP Industriale SPA (pjesëmarrëse në konsorciumin Passante di Mestre) u arrestua nga autoritetet anti-mafia në Catania si i dyshuar për organizim kriminal, regjistrimin fals të pasurive dhe pjesëmarrje në organizimin e mafias.
Prokurorët e përshkruan si “Sistemi Veneto” këtë lidhje gjigante korruptive – e shtrirë deri në Kroaci dhe Austri – që synonin mashtrimin sistematik dhe keqpërdorimin e fondeve publike, veçanërisht në lidhje me projektin MOSE (sipërmarrje e “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”) dhe projektet e ndryshme rajonale në autostrada, duke përfshirë Passante di Mestre (sipërmarrje e “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”), e kombinuar me një skandal të krahasueshëm si “Duart e Pastra 2” të hetuar në Milano rreth ekspozitës globale Expo 2015 – (sipërmarrje e “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”)
Një hetim i tillë solli në arrestimin e Piergiorgio Baita, CEO i kompanisë Mantovani S.p.A. (një nga nënkontraktorët kryesorë të konsorciumit Passante di Mestre), Nicolò Buson, Drejtor i Përgjithshëm i Mantovani S.p.A. dhe konsulenti i tyre Ëilliam Alfonso Colombelli me akuzën e konspiracionit kriminal që synon mashtrimin fiskal.
Sipas magjistratit, Mantovani S.p.A. – i cili është i lidhur drejtpërsëdrejti, përmes pronësisë së njëjtë të familjes Chiarotto dhe Serenissima Holding SPA, tek FIP Industriale SpA, e cila është pjesë e konsorciumit të Passante di Mestre – dhe Adria Infrastrutture, prodhuan faturat e rreme për dhjetëra milion euro nga kompanitë konsulente si BMC Brookers (e regjistruar në San Marino dhe në pronësi të z. Colombelli).
Rreth 15-20% e shumave të faturuara qëndronin me z. Colombelli, ndërsa pjesa tjetër u arkëtua dhe u transferua në Mantovani dhe Adria Infrastrutture si fonde të zeza.
Të ardhurat e ndara nga dy kompanitë (të dyja të kontrolluara “de facto” nga Piergiorgio Baita) u përdorën (sipas dëshmisë së tij) për ryshfet tek zyrtarët publikë për të marrë kontrata të mëdha ndërtimi, duke përfshirë projektet Passante di Mestre dhe Mose.
Në librin e pagave të Mantovani S.p.A u gjetën edhe zyrtarë policorë dhe ish-agjentë të shërbimeve sekrete, të cilët tashmë jane të burgosur.
Po në Shqipëri a i mbron kush interesat e publikut?
F.I.P. Industriale S.p.A. është 100% në pronësi të Serenissima Holding S.p.A., një kompani në pronësi të familjes Chiarotto, që gjithashtu zotëron 18.845.063 aksione (nga 20.000.000) tek Mantovani S.p.A.
Kështu përmes pronësisë së njëjtë të familjes Chiarotto – përmes saj Serenissima Holding SpA – Mantovani SpA dhe FIP Industriale SPA, që veprojnë në të njëjtin sektor dhe llojin e projekteve, janë të lidhura ngushtë.
“Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani” gjatë viteve të fundit ka patur krizë financiare dhe aktualisht ka paraqitur pranë Gjykatës së Padovës një kërkesë për një marrëveshje të ristrukturimit të debive, për të përballuar tensionet serioze financiare.
Deklarata e lëshuar në nëntor 2018 nga Mantovani gjithashtu thekson se rrethanat, të cilat kanë zgjatur disa vite, kanë çuar në ndërprerjen substanciale të punës dhe përmbushja e detyrimeve është në rrezik.
Po në Shqipëri, a ka hetime se kush është dhe çfarë fshihet pas kësaj kompanie, të hetuar e gjykuar nga shteti italian? Autoritetet përkatëse që prokurojnë me fonde publike e kanë për detyrë një kontroll të tillë, që nuk është tentuar të bëhej, qoftë për paaftësi shembullore apo qoftë për interesa korruptive.
“Coge Costruzioni Generali Srl” ka nënshkruar marrjen me qira të degës së kompanisë ndërtimore Ing. E. Mantovani Spa, e cila gjithashtu do të ndryshojë emrin në: Cogemantovani Spa.
“Gener 2” e Bashkim Ulajt dhe pyetja e njëjtë për Ramën
Gener 2 është në qendër të skandalit me Unazën dhe OST, hetimet për të cilat duken të ngecura. Drejtori i ARRSH u shkarkua pas skandalit dhe atë e ndoqi pas edhe ministri Gjiknuri pak kohë më pas.
Janë botuar prova që institucionet kanë bashkëpunuar plotësisht në falsifikimn e tenderave të Unazës dhe OST. Po kush ka urdhëruar që ti bëhet kaq e lehtë rruga Gener 2?
Deri ku shkon përfshirja e kryeministrit në këtë aferë? Nëse Gjiknuri ka vendosur vetë, dhe për këtë u shkarkua, përse ai u emërua nga Rama pak ditë më pare Sekretar për Çështjet Zgjedhore, si dhe për të koordinuar punën për Reformën Zgjedhore.
E nëse në skandalin e Unazës lidhja direkte mes Ramës dhe Ulajt është në fazën e dyshimit, po për Bypasin e Vlorës a ishte qeveria në dijeni me kë kishte të bënte?
Tërheq vëmendjen dhe është për t’u theksuar si rast unik se për fillimin e punimeve të ndërtimit nuk u zhvillua ceremoni inaugurimi, aq shumë të kërkuara nga politika e ditës për të reklamuar suksese.
Kjo për faktin se kontrata e fituar në fundin e vitit 2018 nga JV “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani” dhe “Gener 2” për ndërtimin e Bypass të Vlorës, është zhvilluar në një terren të minuar dhe mund të bëjë pis autoritetet pjesëmarrëse.
Pra qeveria e di dhe megjithatë ka vijuar?
Burimi: Gazeta Dita