Në vijim të intervistës me deputetin Saimir Korreshi, ky i fundit foli për zhvillimin më të rëndësishëm përsa i përket Partisë Demokratike, bashkimi i grupit të Gazment Bardhit me ‘Rithemelimin’ e Sali Berishës.
I pyetur nga Albi Rakip nëse ky bashkim erdhi me vonesë apo në kohën e duhur, Korreshi u përgjigj:
“Bashkimi i këtyre dy grupeve erdhi në limitet e kohës së duhur. Por besoj se duhet të kishte ndodhur që kur u diskutua në muajin shtator. Nëse do kishte kaluar marsi dhe bashkimi nuk do kishte ndodhur ende, do të kishim shumë probleme. Jemi përpara zgjedhjeve parlamentare, bashkimi ishte gjëja e duhur. Kjo duhet të shërbejë si një motivim për të arritur maksimimin”.
“Mendoj se edhe skeptiku më i madh i ka kaluar pritshmëritë”, tha Korreshi.
“Nëse nuk arrijmë kthimin e koalicionit, do të jetë një problem i madh për opozitën. Nëse PD-ja do të ishte së bashku me PL-në në zgjedhjet e 2021-it, gjërat mund të ishin më ndryshe. Tani puna ka filluar. Po rishikojmë se çfarë ndryshimesh duhet të bëhen në Partinë Demokratike”, shtoi ai.