I dënuar me 2 vjet burg për blerje votash, me vendim të formës së prerë, Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku që fitoi zgjedhjet në Himarë dhe nuk u betua kurrë për të marrë detyrën, do të udhëtojë të hënën drejt Strasburgut. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dha dritë jeshile këtë të diel, duke miratuar lejen për eurodeputetin grek për të kryer betimin në datë 16 korrik në Parlamentin Europian.
Thuhet se Beleri do të udhëtojë i vetëm, i pa shoqëruar nga forca të sigurisë, fillimisht drejt Athinës me avion të hënën e 15 korrikut, ndërsa më pas niset për në Strasburg.
Leja e miratuar është për 5 ditë, me të drejt kthimi në datën 20 korrik, për të vijuar përfundimit e dënimit të dhënë nga Apeli i së Posaçmes. Kërkesa për leje e bërë disa ditë më parë është vonuar deri këtë të diel pasi komisioni që e shqyrtoi, vendosi disa kritere karshi Belerit, të cilit i kanë kërkuar të dhëna të plota, nisur nga garancia e lëvizjes, dorëzimi i biletave të udhëtimit vajtje-ardhje, apo qëndrimi dhe akomodimi në hotel.
Për miratimin e kërkesës është parashikuar edhe ndonjë e papritur, për shembull nëse do t’i duhet të qëndrojë më shumë nga sa e parashikon leja, për shkak të zhvillimeve atje.
Në një rast të tillë, Beleri do të duhet të njoftojë të gjitha institucionet në mënyrë zyrtare, përfshirë edhe autoritetet vendase në Strasburg. Çështja “Beleri”, i cili u arrestua vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 14 majit në një lokal në Himarë, trazoi ujërat diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Pasi nuk mundi të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak, mundësi që e humbi pas dënimit përfundimtar me burg, në Himarë pritet të zhvillohen zgjedhjet e reja më 4 gusht. Më 10 qershor u zgjodh si eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.
Discussion about this post