Banorët e fshatit Lapardha në Berat vuajnë prej 30-vitesh mungesën e investimeve në zonën e tyre. Ky fshat, me rreth 6200 banorë vuan prej vitesh mungesën e një ure për të kaluar lumin që e ndan këtë fshat në mes. E vetmja urë ekzistuese, e ndëruar që në kohën e Zogut, është një urë pasarelë me dërrasa por ajo është kthyer në një rrezik serioz për jetën e banorëve që kalojnë mbi të,pasi është totalisht e shkatërruar.
“Kemi kalamajtë nga 2 deri në 5 vjeç, shiko si është ura, bie fëmija aty brenda. Është turpi i botës, po vem në vitin 2025. Para disa ditësh erdhën dhe vunë disa dërrasa, sepse shumicat janë të kalbura”, shprehet një nga banorët.
Mungesa e urës i detyron banorët ta kalojnë lumin në këmbë ose me mjete bujqësore,duke rrezikuar jetën. Sikur mos të mjaftonte mungesa e urës, i gjithë fshati është i mbushur me plehra pasi askush nuk vjen për ti pastruar. Në të dyja brigjet e lumit lundrojnë plehra dhe derdhen ujërat e zeza. Banorët shprehen se janë të indinjuar nga mungesa e vëmendjes së pushtetit vendor për këtë zonë,të lënë në mëshirë të fatit.
‘Kjo është gjendja, siç mund të shihet edhe vetë, fëmijët i marrim kë krahë dhe i çojmë në shkollë sepse rruga është copë-copë. Urë këtu nuk ka, vjen lumi dhe ne i bien rrotull që ti çojmë në shkollë. Shifeni vetë, meturina kudo, urë këtu nuk ka, kemi 4 vjet nuk është bërë asgjë, vijë tani në fushatë dhe duan vota. Si ti japin votat ne, pa bërë asgjë’, tha një tjetër banor për FaxNews.
Sakaq, banorët u shprehën se edhe pse prej dekadash të lënë pas dore, tani që ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e14 majit, politikanët shkojnë për të bërë premtime, që sipas tyre as nuk i kanë mbajtur e as nuk do t’i mbajnë.
“Ne nuk kemi as urë, as rrugë e as ndriçim, ndërkohë që i gjithë fshati është i mbuluar nga plehrat. Primarja për ne është ura,pasi aty kalojnë çdo ditë fëmijët që shkojnë në shkollë dhe jeta e tyre është në rrezik sepse dërrasat e urës janë çarë e thyer. Ne spo kërkojmë autostradë, një urë po kërkojmë por pushtetarët për me kujtohen vetëm për fushatat elektorale,kur na premtojnë çdo gjë dhe nuk bëjnë asgjë. Ne paguajmë çdo taksë të bashkisë por skemi as rrugë, as ndriçim, as gjelbërim dhe na kanë mbuluar plehrat në gjithë fshatin”, tregon një tjetër banor i fshatit.