Ditën e sotme u zhvillua konferenca për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve, organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë dhe Fondacionit Jarl Hjalmarson. Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se në 10 vite janë vrarë 160 gra.
“Beteja kundër këtij muri për rrëzimin e tij, është nga betejat më të rëndësishme për empancimin njerëzor dhe ju keni me përpjekjet tuaja, jepni një kontribut shumë të çmuar. Vitet e qeverisjes socialiste de facto, narkosocialiste ka qenë vite të një regresi të vërtetë në shumë aspekte lidhur me problematikat e mëdha të Shqipërisë, të shoqërisë sonë në raport me gratë dhe vajzat. Është fakt i pamohueshëm, se në rast se u arrit që diskriminimi financiar të marrë një goditje të mirë dhe hendeku financiar në paga mes burrave dhe grave të zbresë në vitin 2013, të afrohet shumë me atë që ekziston në BE, përseri pas vitit 2013 ky hendek u thellua dhe sot ka rritur aty ku kemi qenë. Po kështu, dhuna ndaj grave ka njohur një rritje të papranueshme në këto 10 vite janë vrarë 160 gra nga të cilat një pjesë e mirë në mbrojtje ligjore. Kurse aktet e dhunës janë rritur me mbi 50%. Nëse ndiqeni diskursin e përditshëm, fjala grua, dhunë ndaj, barazi e saj me burrin, luftë kundër diskriminimin politik social, ekonomik janë zhdukur nga fjalori i qeveritarëve, mjerisht edhe ministreve të Shqipërisë. Zëri i tyre mungon kur ato duhet të jenë avokate kryesore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Megjithë numrin e tyre në parlament, kanë sjellë rezoluta për të dënuar opozitën por jo për të mbrojtur të drejtat e grave dhe fëmijëve. Në pamje të parë kabineti i Shqipërisë ka numër më të madh se shumë e shumë kabinete të tjera, zonjash dhe zonjushash, por Shqipëria ka një fatkeqësi të madhe, ka kryeministrin më mizogen të Europës, shpërthimet migozenike të së cilit nuk përmbahen as në publik, parlament, jo vetëm ndaj deputeteve të opozitës, por edhe ndaj ministreve të tij, cka të bëjnë të besosh se ky njeri në mbledhjet e kabinetit sillet si dikur diktatori boksier që grushtonte ministrat e tij. Nëse vini re prania e atyre zonjave në qeveri është akt pozitiv dhe e kemi përshëndetur por kur sheh që sillen sikur të ishin në një kabinet sulltani duke i bërë elozhe një “Skënderbe” dhe tjetra “Zeus” kupton presionin e madh mizogenik që përjetojnë ato zonja në mbledhjet e kabinetit dhe mjedise të tjera. Mizogenia e Ramës është një problem madhor për gratë, vajzat dhe shoqërinë shqiptare. PD qëndrimin e saj ndaj grave dhe vajzave e konsideron një qëndrim themelor të emancipimit tonë shoqëror” tha ai.