Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot prova të reja tronditëse për atë që e cilëson si “farsën më të shëmtuar elektorale të 32 viteve të fundit”, duke iu referuar votimeve të 11 majit 2025 dhe veçanërisht votës së diasporës.
Berisha akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për manipulim të rëndë të votës së emigrantëve, duke paraqitur si provë zarfe të dërguara përmes DHL-së, në të cilat, sipas tij, mungojnë firmat reale të qytetarëve dhe në vend të tyre shfaqen viza dhe shenja të pakuptimta.
“Në çdo zarfi të kthyer, ku supozohet se votuesi ka firmosur si marrës, figurojnë vetëm viza të drejta, gremça apo shenja të rastësishme, pa asnjë element identifikues të firmës. Janë firmosur nga Lubia, Pëllumbesha dhe Taotao e qeverisë, jo nga qytetarët,” – tha Berisha.
Ai shtoi se ky është një poshtërim i hapur ndaj diasporës shqiptare dhe një tjetër provë që, sipas tij, qeveria e ka shndërruar votën e lirë në farsë, duke e përdorur procesin e votimit të emigrantëve për manipulime elektorale.
“Këto zarfe nuk kanë shkuar kurrë te qytetarët. Janë mbushur në një zyrë nga njerëzit e Ramës, që nuk janë lodhur as të sajojnë ndonjë firmë të besueshme. Vetëm disa viza të pakuptimta dhe të përsëritura,” – deklaroi Berisha, duke ekspozuar një sërë zarfesh në ekran me shenjat në fjalë.
Sipas tij, kjo është një provë e qartë se procesi i votimit të diasporës nuk është as transparent, as i kontrolluar, por i orkestruar nga vetë strukturat e shtetit për qëllime elektorale.
Berisha e cilësoi këtë skandal si fundin e çdo morali elektoral dhe ligjor të kësaj qeverie, duke paralajmëruar se opozita do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe ndërkombëtare për të denoncuar manipulimin e votës së qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.