Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhër-arrestim kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Gjykata e ka akuzuar Putinin për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë – diçka që presidenti Biden ka thënë se lideri rus “e ka bërë qartë”.
Pretendimet fokusohen në dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, prej nisjes së luftës së Moskës, më 2022.
Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe e ka cilësuar urdhërarrestimin si “fyes”.
Ka shumë pak mundësi që të ketë rezultat nga ky veprim, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka fuqi për të arrestuar të dyshuarit në Rusi, pa bashkëpunim me Qeverinë ruse.
Rusia nuk është shtet anëtar në këtë gjykatë – me seli në Hagë – çka nënkupton se ajo nuk ka autoritet në territorin rus.
Megjithatë, vendimi mund të prekë Putinin në mënyra tjera, siç është pamundësia për të udhëtuar në botë.
Ai mund të arrestohet nëse këmba e tij shkel në një prej 123 vendeve anëtare të gjykatës.
Putin është vetëm presidenti i tretë ndaj të cilit është lëshuar urdhërarrestim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Prokurori i kësaj gjykate, Karim Khan, ka thënë se askush nuk e ka menduar që Sllobodan Millosheviq, – lideri serb që është gjykuar për krime lufte në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë në vitet 1990 – do të përfundonte në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.
Millosheviq ka vdekur derisa ka qenë në proces gjyqësor.
“Ata që mendojnë se mund të kryejnë krime gjatë ditës, dhe të bëjnë gjumë të mirë natën, ndoshta duhet ta shikojnë historinë”, ka thënë Khan.
Gjykata, fillimisht, e ka shqyrtuar mundësinë e mbajtjes sekret të urdhërarrestimit, mirëpo më pas ka vendosur ta bëjë publik dhe të ndalojë kryerjen e krimeve tjera.
Aktivistët opozitarë rusë e kanë mirëpritur lajmin për Putinin.
Ivan Zhdanov, aleat i ngushtë i liderit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny, ka thënë se urdhërarrestimi është “hap simbolik”, por i rëndësishëm.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar gjykatën për vendimin, që të akuzojë “shtetin djallëzor”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL